PSG dhe Juve takohen për Pogban

07.03.2014 (komentet: 0)

Presidenti i Paris Saint-Germain, Nasser Al-Khelaifi, është takuar me kolegun e tij të Juventusit, Andrea Agnelli, në një hotel në Paris, për të diskutuar mundësinë e transferimit të Paul Pogba.

Kampionët e Ligue 1 një kohë të gjatë janë lidhur me një transferim të francezit, derisa kërkojnë ta përforcojnë edhe më tej skuadrën gjatë kësaj vere, dhe Al-Khelaifi tash është takuar me Agnellin për të diskutuar rreth transferimeve të verës.

Pogba ka kontratë me Juven e cila skadon në verën e vitit 2016 dhe gjigantët nga Serie A dëshirojnë t’ia vazhdojnë atij kontratën deri në vitin 2018 dhe t’i ofrojnë 4.5 milionë euro në vit.

Por, edhe pse Agnelli së fundi tha se mesfushori është i paprekshëm, ai më herët kishte thënë se do të jetë vështirë për Juventusin ta mbajë Pogban nëse në adresë të tyre arrin ndonjë ofertë e majme, dhe PSG është gati ta testojë rezistencën e tyre.

PSG mund t’i ofrojë ish-lojtarit të Manchester United 9 milionë euro në sezon, që mund të jetë faktor vendimtar që lojtari të mos e vazhdojë kontratën dhe ta detyrojë klubin ta shesë.

Klubi francez raportohet se është i gatshëm të përfshijë në ofertë edhe lojtarë, si Ezequiel Lavezzin ose Lucas Moura, për të lehtësuar vlerën e transferimit dhe për të mbajtur të kënaqur Bianconerët

/E.Smerqaku

 

Kthehu mbrapa

Shto koment