POLITIKANËT NË OLIMPIADË

26.07.2012 (komentet: 0)

Sportistët e Kosovës, përveç Majlinda Kelmendit, do t’i ndjekin Lojërat Olimpike përmes televizorit. Por kështu nuk do të veprojnë edhe politikanët. Të premten, në Londër pritet të jenë të pranishëm Presidentja Jahjaga dhe Kryeministri Thaçi, si pjesë e delegacioneve shtetërore që marrin pjesë në ceremoninë e hapjes së lojërave. Dy udhëheqësit e Shtetit kanë marrë ftesë nga Sekretari i Britanisë së Madhe, William Hague. Burime thonë se, ka gjasë, që ata të takohen edhe me Kryeministrin britanik, David Cameron.

Presidentja Atifete Jahjaga dhe Kryeministri Hashim Thaçi do të marrin pjesë në hapjen e Lojërave të 30-ta Olimpike që sivjet mbahen në kryeqytetin britanik, Londër.

Bashkë me delegacionet shtetërore të më shumë se dyqind shteteve, udhëheqësit e Kosovës do të marrin pjesë për herë të parë në ceremoninë zyrtare të ngjarjes më të madhe sportive në planet, që organizohet të premten.

Burime ndërkombëtare kanë thënë së Presidentja dhe Kryeministri kanë marrë ftesë nga Sekretari i Britanisë së Madhe, William Hague për të marrë pjesë si delegacion shtetëror i Kosovës, në hapjen e Olimpiadës.

“Delegacioni i Kosovës do të jetë i barabartë, sikur delegacionet e të gjitha shteteve të botës”, ka thënë një diplomat britanik, në kushte anonimiteti.

Kthehu mbrapa

Shto koment