Peja e lëshon fitoren nga duart

12.03.2014 (komentet: 0)

Skuadra e Pejës është mposhtur në sekondat e fundit nga Teodo i Malit të Zi, me rezultat 82-79, në kuadër të Ligës Ballkanike.

Peja udhëtoi në këtë ndeshje me një krizë në skuadër pas dy humbjeve të njëpasnjëshme nga rivali Sigal Prishtina, teksa Drilon Hajrizi mungoi për shkak të suspendimit që ka marrë nga kryesia e klubit për mosangazhimin e tij në dy ndeshjet e fundit.

Kjo krizë u vërejt edhe në fillim të takimit pasi pejanët nuk ishin në elementin e tyre dhe si pasojë çerekun e parë e përmbyllën me nëntë pikë disavantazh ndaj malazezëve të disponuar, 25-16.

Në çerekun e dytë verdhezinjtë treguan lojë pak më të mirë dhe e ngushtuan disavantazhin në shtatë pikë, 47-40. Kjo falë përvojës së madhe të Samir Shaptahu dhe Frederick House që u treguan vendimtarë në disa aksione.

Pas pushimit të pjesës së parë, pejanët vazhduan të kërkonin fitoren me këmbëngulje mirëpo vendasit malazez nuk lëshonin pe dhe ruajtën epërsinë e tyre prej 8 pikëve, 66-58.

Çereku i katërt ishte pika kthyese për pejanët, të cilët me mjeshtri e morrin kontrollin e lojës duke i mbyllur mirë sulmet e kundërshtarit dhe duke shënuar pikë me kundërsulme të shpejta arritën ta krijojnë një seri prej 19-7, teksa rezultati në semafor shënonte 73-77.

Sidoqoftë, Peja e lëshoi këtë ndeshje nga duart duke i lejuar kundërshtarit ta përmbysin rezultatin dhe ta fitojnë përballjen me tre pikë epërsi, 82-79.

Më të dalluar për Pejën në këtë takim ishin Samir Shaptahu me 22 pikë, Frederick House(22) dhe Gerti Shima (16).

Pas kësaj humbjeje, Peja përsëri mbetet në pozitën e tetë me 20 pikë, po aq sa kanë edhe Teodo e Ballkani në pozitën e shtatë, respektivisht gjashtë. 

 /E.Smerqaku/

Kthehu mbrapa

Shto koment