Ozil te Bayerni, Shaqiri te Juve?

15.09.2014 (komentet: 0)

Bayern Munich ka ndërmend të rikthehet shumë aktiv në merkaton e janarit, për të vënë nën urdhrat e Pep Guardiolës një lojtar cilësor për mesfushën.

Nga Gjermania raportohet se kampionët e Bundesligës janë gati të ofrojnë Arsenalit 40 milionë euro për shërbimet e Mesut Ozil, i cili ka kontratë me “topçinjtë” deri në verë të vitit 2018.

Lojtari i kombëtares gjermane duket se nuk ka krijuar impaktin që pritej te skuadra londineze, që një vit më parë e shkëputi nga Reali i Madridit për thuajsë 50 milionë euro.

Transferimi i mundshëm i turko-gjermanit në “Allianz Arena” pritet të ketë një efekt domino te klubi gjerman. Prania e Ozil në skuadër do t’i mbyllte hapësirat në formacionin e parë Xherdan Shaqirit, që në mënyrë të pashmangshme do të kërkonte një destinacion të ri.

23-vjecari i përfaqësueses së Zvicrës mund të transferohet te Juventusi, skuadër që e kërkoi me ngulm, edhe gjatë merkatos së verës.

 

 

Gjithsesi, për momentin këto lëvizje janë vetëm në kuadër të zërave, pasi që gjithçka të bëhet realitet duhet të presim muajin janar. 

 

Kthehu mbrapa

Shto koment