Nushi: Goli i parë, një moment i bukur

25.03.2014 (komentet: 0)

Mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës, Kristian Nushi, është shprehur i lumtur që ka shënuar golin e tij të parë këtë edicion.

Nushi realizoi për St. Gallenin që fitoi 1:0 kundër Thunit në kuadër të javës së 26-të të Superligës së Zvicrës në futboll.

Ai realizoi gol të bukur me goditje nga zona pasi më parë u lirua nga një mbrojtës i Thunit. Për St. Gallenin ishte fitorja e parë në pranverë.

"Është një lehtësim i madh për ne që më në fund arritëm fitoren e parë në pranverë. Edhe për mua është një moment i bukur pasi kam pasur disa gjëra negative së fundi si çështja e kartonit të kuq dhe e lëndimeve", ka thënë Nushi për “Kohën Ditore”.

Ai shënoi në minutën e 52-të, ndërsa luajti deri në minutën e 75-të. Të pazëvendësueshëm te St. Galleni ishin Ermir Lenjani e Muhamed Demiri. Thunit, për shkak të lëndimeve, i munguan Adrian Nikçi e Berat Sadiku. /Koha/

Kthehu mbrapa

Shto koment