Nazmi Biçku: 44 vitet e një shpirti sportist!

28.03.2014 (komentet: 0)

Nazimi Biçku, është nga punëtorët më të vjetër sportiv të Gjilanit. Ai po numëron ditët e fundit të punës 44 vjeçare arsimtarit të përkushtuar sportiv gjersa përgatitet të bie ora e fundit e pensionimit...

Nazmi Biçku:  44 vitet e një  shpirti sportist!




“Mbaj mend, ditët e para të punës të vitit të largët 1970. Kisha diplomën e freskët dhe po nisja punën e arsimtarit të Edukatës Fizike, nxënësit gati ishin moshatarë me mua të shkollës së mesme por gjithnjë kam pasur një komunikim të shkëlqyer me nxënës,  na ka bashkuar fryma sportive”, tregon Biqku.

Rrugëtimi i profesor Biçkut, do të vazhdojë më vonë në shkolla të ndryshme të Anamoravës. Ishin vitet kur  arsimtarët shqiptarë të Edukatës Fizike, po shtoheshin karshi arsimtarëve serb, dhe klubet sportive ngadalë po merrnin praninë e të folurit shqip.

“Në fillim të karrierës është e vërtetë se shumica e klubeve sportive kanë qenë të dominuar me serb, ata po udhëheqin me sportin, e kishim rendë të depërtonim po puna e përkushtuar e bëri të veten”, tregon Biqku.

Njëri nga punëtorët më të përkushtuar sportiv në Komunën e Gjilanit, Nazmi Biçku, tregon se puna me nxënës ka qenë jo vetëm përkushtim profesional, ndërkohë që ai një shekull të punës ka bërë edhe në organizimin e klubeve të ndryshme sportive. 

I njohur si njëri nga ekspertët më të mirë për të gjetur talentet e hendbollit, Biçku, do të jetë kreator dhe themelues i klubeve të ndryshme të hendbollit në shkollat ku do të punonte, por dhe në klubet e qytetit. Ai do të themelojë për herë të parë klubin e hembollit për femra dhe meshkuj që do të lëshojë rrënjë të kësaj loje jo vetëm në Gjilan por edhe me gjerë. 

Ai tashmë ka si medaljon të kujtimit të mirë, emra të talenteve të cilët i ka zbuluar dhe kultivuar për sa kohë që ata luajnë në vende të ndryshme të Botës, në Australi, Gjermani, Zvicërr, Austri, Luksemburg, e vende të tjera.  

Profesor Biçku, po ecën drejt orëve të fundit të punës së arsimtarit në Shkollën Abaz Ajeti. Mbi supe  të punës 44 vjeçare shihen gjurmët e atyre qindra mijëra orëve të punës me armatën e nxënësve dhe sportistëve. Në trupin paksa thatanik por sportiv. I ikën modestia derisa tregon medaljet, kupat dhe mirënjohjet e shumta sportive. Flet më zë që natyrshëm si pedagog sportiv i sillen në kujtesë mbresat dhe emocionet e fitoreve, sfidave i ikën këto kujtesa në qullje sysh...

“ Sporti ma ka mbajtur gjallë, sporti ka mbajtur gjallë edhe popullin tonë që ka kaluar ditë rënda. Edukata sportive do të na hap rrugët për integrime në botë më shumë se diplomacia”, thotë Biqku.

Deri sa mban në dorë një top hendbolli Tigar, të vjetër 40 vjet, e shtrëngon me duart dhe duket që është shtrëngim zemre. “Vetëm këtë do ta marr me vete, këtu në këtë top që i ngjanë globit, është shekulli im i punës dhe i kujtimit...”, thotë Nazmi Biçku,


xhevat Latifi / xlpress.tv

Kthehu mbrapa

Shto koment