Mirallas: Januzaj nuk ka vend te Kombëtarja e Belgjikës

26.04.2014 (komentet: 0)

Sulmuesi i Evertonit, Kevin Mirallas, ka thënë se do të ishte e padrejtë nëse Adnan Januzaj ftohet në skuadrën e Kombëtares së Belgjikës që do të luajë në Botërorin “Brazili 2014”.

Supertalenti nga Kosova, Adnan Januzaj, së fundmi mori vendimin që ta përfaqësojë Kombëtaren e Belgjikës, deri në momentin që Përfaqësuesja e Kosovës të pranohet me të drejta të plota në FIFA dhe UEFA.

“Kishte shumë presion mbi të që ta ndante mendjen se për cilin kombëtare do të luante, dhe është gjë e mirë që ai zgjodhi Belgjikën, sepse është një lojtar i mirë”.

“Sidoqoftë, nuk mendoj se ai duhet të vijë në Brazil. Do të ishte e padrejtë të lihet jashtë kombëtares ndonjë lojtarë i mirë për dikë i cili nuk i njeh bashkëlojtarët dhe i cili nuk ka luajtur shumë për klubin e tij muajve të fundit”, theksoi Mirallas, duke aluduar në Adnan Januzajn.

“Adnani nuk e njeh këtë grup të lojtarëve, dhe fakti qëndron se ai nuk ka luajtur shumë ndeshje me Manchester Unitedin së fundmi. Nuk është se ne kemi mungesë të lojtarëve në atë pozitë. Në fakt, ka shumë lojtarë të mirë në pozicionin e tij që luajnë në Kombëtaren e Belgjikës, kështu që do të jetë e vështirë për të”, shtoi Mirallas.

“Ai duhet së pari ta dëshmojë veten si më i miri në pozitën e tij te Manchester United. Unë mendoj se për të më e mundshme është pjesëmarrja në Euro 2016”, përfundoi sulmuesi belg. 

Kthehu mbrapa

Shto koment