“Miqësorja e Kosovës, një hap i madh”

05.03.2014 (komentet: 0)

Sot në Mitrovicë, Përfaqësuesja e Kosovës në futboll luan ndeshjen e parë historike ndërkombëtare kundër Haitit. Ndërsa sonte, kombëtarja e Zvicrës luan në St. Gallen ndeshjen testuese kundër Kroacisë dhe kombëtarja e Shqipërisë në Tiranë miqësoren kundër Maltës.

Albinfo.ch ka realizuar një intervistë ekskluzive me Granit Xhakën, i cili është protagonist në ndeshjen Zvicër-Kroaci dhe njëri ndër lojtarët më të kërkuar shqiptarë në përgjithësi.

Për ndeshjen e sotme Kosovës kundër Haitit, Granit Xhaka fillimisht e uron përfaqësuesen kosovare që më në fund ka arritur të luajë një ndeshje ndërkombëtare. “Është fakt se luhet ndeshje miqësore dhe jo garuese, por edhe kjo është një arritje e shënuar e Kosovës, pas kaq shumë vitesh izolimi. Ne si shqiptarë kemi pritur kaq gjatë për një ditë të tillë dhe i uroj shumë fat kombëtares kosovare dhe sigurisht i uroj fitore”, – thotë Xhaka.

Ndërsa i pyetur për peshën e madhe që në ekipin përfaqësues u është dhënë lojtarëve nga Diaspora, ai thotë se kjo është zgjedhja që ka bërë trajneri Albert Bunjaki dhe duhet respektuar. Por, shton: “Për lojën e parë ndoshta ka qenë mirë t’u jepej rasti edhe disa lojtarëve që luajnë në Kosovë. Mirëpo, ma merr mendja se qëllimi ka qenë që t’i tregohet botës se jashtë Kosovës kemi një ekip shumë të fortë, të denjë për gara ndërkombëtare”.

Nga ana tjetër, lidhur me ndeshjen që atë e pret sonte në St. Gallen kundër Kroacisë, Granit Xhaka shprehet me respekt ndaj kundërshtarit. “Jemi dy ekipe të nivelit përafërsisht të barabartë, dhe aktualisht jemi në formë të mirë si ne, ashtu edhe Kroacia. Pres një ndeshje të fortë dhe sigurisht fitore të Zvicrës”. Xhaka tregon po ashtu se për këtë ndeshje, trajneri Hitzfeld në ekipin e parë ka zgjedhur pesë nga gjashtë lojtarët shqiptarë të përfaqësueses zvicerane. Pra, pritet që sonte në stadiumin e St. Gallenit të angazhohen: Behrami, Shaqiri, Xhemajli, Mehmedi dhe Xhaka. Vetëm Pajtim Kasami nga shqiptarët kësaj here nuk është ftuar.

Xhaka, në bisedën me albino.ch i uron edhe kombëtares së Shqipërisë fitore në ndeshjen e sotme kundër Maltës. 

/E.Smerqaku/

Kthehu mbrapa

Shto koment