Marrëveshja nuk i zgjidh problemet e sportit kosovar

27.02.2012 (komentet: 0)

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) dhe federatat sportive të Kosovës janë duke i fërkuar duart pas marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila ia mundëson kësaj të parës të përfaqësohet në forumet dhe organizatat e ndryshme rajonale

Bekim Devaja 

Marrëveshja e njohur me fusnotën, pritet t’i mundësojë Kosovës anëtarësim dhe përfaqësim në më se 36 forume rajonale, ndonëse asnjëra prej tyre nuk ka të bëjë me sportin.

Edhe pse përfshirja e sportit nuk përmendet në marrëveshje, sportistët kosovarë megjithatë shpresojnë se kjo do të vlejë edhe për ta, nëse jo për momentin, atëherë brenda një periudhe kohore jo të largët, që edhe ata të jenë pjesë e arenës ndërkombëtare.

“Nëse marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është përshëndetur nga të gjithë, përfshirë edhe Bashkimin Evropian, atëherë ajo edhe mund të sjellë ndonjë gjë pozitive për sportin kosovar”, tha presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani.

Sipas tij, nëse jo për pranim të plotë të sportit kosovar ajo mund të reflektojë me disa lehtësira për të. “Sporti nuk përmendet si pjesë e marrëveshjes tash për tash, pasi që nuk janë dhënë detaje se çka saktësisht do të përmbajë marrëveshja. Mirëpo, një gjë është e sigurt se ajo mund të reflektojë për një atmosferë më fleksibile, që do të t’ua lehtësonte federatave sportive kosovare rrugën e pranimit ndërkombëtar dhe të kenë qasje më të mëdha së paku në rajon”, shtoi Hasani.

Ai tha se marrëveshja nuk do t’i zgjidhë problemet që ka sporti i Kosovës. “Nuk duhet të presim shumë nga marrëveshja. Ajo nuk i zgjedh problemet e mëdha që sporti ynë, por jam i bindur se ai do ta ketë më lehtë të hapë dyert e ndërkombëtarizimit. Sportit kosovar, krahas marrëveshjeve të tilla, i nevojiten njohje më të shumta të shtetit të Kosovës, në të njëjtën kohë që të sigurohet një njohje e plotë ndërkombëtare”. “Për njohjen e Komitetit Olimpik të Kosovës duhet t’i kemi 5 federata të pranuara, e që për momentin i kemi 3 me të drejta të plota dhe disa të tjera gjysmë të njohura. Ndoshta kjo marrëveshje mund të sjellë pranime të reja të federatave”, tha Hasani.

Mexhit Devaja, presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK), e cila para e ka thyer akullin e njohjeve të federatave në botë, nuk është aq optimist i madh se kjo do të sjellë diçka për sportin e Kosovës. “Për momentin nuk janë dhënë detaje të marrëveshjes dhe kjo lë të mendohet se çka mund të përfitojë sporti kosovar nga ajo. Derisa të mos bëhet kjo nuk mund të priten gjëra të mëdha”, tha Devaja.

“Nëse janë të vërteta ato që po thuhen nga pala jonë, mund të bëhet më mirë, pasi që më keq nuk ka gjasa të bëhet”. Pavarësisht marrëveshjes, Devaja është shprehur se do të vazhdojë rrugën që e ka filluar. “Me apo pa këtë marrëveshje unë do të vazhdoj punën time që e kam filluar, pra angazhimet e mia drejt njohjes së plotë të hendbollit kosovar nuk do të ndalen. Nëse ka ndonjë përfitim nga marrëveshja unë me siguri se do ta shfrytëzoj drejt qëllimit tim”, tha presidenti i FHK-së.

Trajneri i përfaqësueses së Kosovës në futboll, Albert Bunjaki, tha se duhet të besohet në këtë marrëveshje, pasi që ajo është bërë mbi bazën e lehtësimit të jetës së njerëzve të dy vendeve.

“Mendoj se kjo marrëveshje sadopak do të lëvizë gjërat edhe sa i përket sportit. Marrëveshjet në përgjithësi kanë për qëllim të lehtësojnë jetën e njerëzve dhe ma merr mendja që në të duhet të përfshihet edhe sporti. Unë e shoh se ashtu duhet të jetë, por të shohim se çka do të ndodhë”, tha seleksionuesi i Kosovës në futboll.

Bunjaki ka mirëpritur reagimet e vendeve evropiane për marrëveshjen dhe sipas tij, duhet të besohet për kohëra më të mira për sportin e Kosovës. “Në bazë të deklaratave që kam dëgjuar dhe në bazë të disa kontakteve që kam pasur nga disa kolegë të mi dhe njerëz që kanë ndikim në sportin evropian më kanë shtyrë se duhet të besoj se më fund do të vijë diçka e mirë për sportin e Kosovës, pasi që ai e meriton të jetë pjesë e atij evropian dhe botëror”, tha Bunjaki.

Mbetet të shihet në ditët dhe javët e ardhshme nëse do të përfitojë sporti kosovar diçka nga kjo marrëveshje, ndonëse në të parashihet përfaqësimi rajonal. Federatat sportive të Kosovës kanë problem me anëtarësimin në Federatat evropiane dhe botërore me identitet të shtetit të Kosovës.

Kthehu mbrapa

Shto koment