Mallkimi i penalltive po e ndjek Anglinë

26.06.2012 (komentet: 0)

ANGLEZET KANË HUMBUR 6 NGA 7 NDESHJET E FUNDIT PAS EKZEKUTIMIT TË PENALLTIVE. Lojtarët anglezë kanë ushtruar penalltitë në stërvitjet e fundit, portierit anglez Joe Hart, para serisë së penalltive, iu dha një fletë me të dhënat e lojtarëve italianë, por ai nuk ia doli të presë asnjë penallti dhe Anglia rreshtoi edhe një dështim në penallti. Nga viti 1990, Anglia ka fituar vetëm një herë me penallti, kurse ka humbur gjashtë herë

KIEV, 25  QERSHOR (AFP) - RoyHodgson nuk di të shpjegojë se si dhe kur Përfaqësuesja e Anglisë mund t’i japë fund “mallkimit” të penalltive që po e ndjek tash e mbi 20 vite. Ekipi i tij u eliminua në çerekfinale të “Euro 2012” nga Italia pas ekzekutimit të penalltive, pasi loja e rregullt dhe vazhdimet nuk dhanë fitues (0:0).

Hodgson bëri të ditur se në stërvitjet e fundit, lojtarët kanë ushtruar penalltitë, por as kjo nuk mjaftoi për t’i dhënë fund serisë se zezë të Anglisë. Edhe portieri Joe Hart kishte studiuar lojtarët italianë, madje pak para nisjes së serisë së penalltive, atij iu dha një fletë me të dhënat e lojtarëve italianë, por ai nuk ia doli të presë asnjë penallti, me përjashtim të gjuajtjes jashtë portës së Riccardo Montolivos.

Kjo është hera e gjashtë në shtatë tentimet e fundit prej Botërorit 1990, që Anglia eliminohet nga turnetë e mëdhenj pas gjuajtjes së penalltive. Kësaj here, ishin Ashley Young dhe Ashley Cole që dështuan nga pika e bardhë, për t’i mundësuar Italisë të shkojë tutje. Young qëlloi traversën, kurse gjuajtjen e Colet e kapi portieri Gianluigi Buffon.

Hodgson ka thënë se ishte i bindur se pesë lojtarët që kishte zgjidhur për të gjuajtur penalltinë nuk do të dështpnin me këta lojtarë penalltitë në stërvitje, sepse ka kohë që e mundon kjo gjë futbollin anglez. Në stërvitje, asnjëri nuk dështoi dhe kjo më bëri të besoj se mund ta kalojmë Italinë, por u gabova”, tha Hodgson. “Mirëpo, presioni ishte i madh dhe kjo bëri që të dështojmë sërish dhe të besojmë se më të vërtetë ka një mallkim mbi ne kur vjen puna te penalltitë”. 

Hodgson u ka dalë në mbrojtjefutbollistëve Cole dhe Young, të cilët u kritikuan menjëherë pas ndeshjes. Seleksionuesi anglez ka insistuar se Cole dhe Young kanë pasur përvojë në penallti, pasi te skuadrat e tyre Chelsea dhe  Manchester Unitedit, janë ndër pesë futbollistët e parë që marrin një përgjegjësi të tillë. “Të gjithë e kemi parë Colen duke shënuar gol nga penalltia në finalene Ligës së Kampionëve. Edhe Young ishte efikas ndaj Watfordit, kështuqë nuk kam asnjë arsye të ankohem”, u shpreh Hodgson. “Të gjithë ishim të bindur se kishim bërë një përzgjedhje prej pesë futbollistëve që nuk do të dështojnë, por për fat të keq dy na dështuan”.

Më i frustruari prej të gjithëve kambetur sulmuesi Wayne Rooney, i cili përjetoi edhe një dëshpërim me Anglinë në turne të mëdhenj.Rooney në “Euro 2012” zhvilloi vetëm dy ndeshje, për shkak të suspendimit që i mohoi të paraqitet edhe në dy ndeshjet e para të këtij turneu. “Po largohem me shpresën se në të ardhmen do të vijë dita për të shënuar fitore në këtë fazë”, tha Rooney.

 Me gjithë statistikat që flasin në favor të Italisë, Hodgson nuk pranoi se Italia ishte më e mirë gjatë ndeshjes që u mbyll pa gola. Italianët patën në posedim topin për 64 përqind të kohës, ndërsa patën edhe 35 gjuajtje në portë, kurse Anglia vetëm nëntë.“Nuk mendoj se Italia luajti mirë, por nuk mund as ta minimizoj fitoren e tyre. Ata në të shumtën e rasteve nuk ia dolën përballë mbrojtjes sonë, kurse ne për fat të keq ato pak raste që i patëm nuk arritëm t’i shfrytëzojmë”, u shpreh Hodgson.

 

Gerrard i mbetet besnik Anglisë


Kapiteni i Përfaqësueses së Anglisë, Steven Gerrard, ka premtuar sedo të jetë lider edhe në Kampionatin Botëror “Brazili 2014” ani pse përjetoi një tjetër zhgënjim në turne të mëdhenj, shkruan “goal.com” të hënën. Gerrard, 32-vjeçar, u eliminua me Anglinë në çerekfinale nga Italia pas gjuajtjes së penalltive, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan pa gola. “Pas eliminimit bisedova me trajnerin dhe ia konfirmova besnikërinë time ndaj ekipit. I premtova se do të jem në dispozicion të Anglisë për botërorin e vitit 2014”, deklaroi Gerrard, që ishte futbollisti më i dalluar tek Anglia në “Euro 2012”. “Jam i dëshpëruar me eliminimin tonë, por duhet të mësojmë nga këto gabime në të ardhmen”.

Kthehu mbrapa

Shto koment