Majlinda, në kulmin e karrierës

01.04.2013 (komentet: 0)

Majlinda Kelmendi e arriti kulmin e karrierës, pas medaljes së artë të fituar në Turqi. Xhudistja pejane e konfirmoi formën e shkëlqyeshme të gjashtë muajve të fundit, e cila shumë shpejt pritet ta shpërblejë me primat në ranglistën botërore.

Majlinda Kelmendi e ka arritur kulmin e karrierës. Xhudistja pejane i ka radhitur sukseset ndërkombëtare një pas një, duke bërë emër në xhudon botërore.

Së fundmi, ajo e fitoi medaljen e artë në turneun prestigjioz ‘Grand Prix’, që është mbajtur në Samsun të Turqisë, pasi në finale e mundi xhudisten gjermane Mareen Kraeh.

21 vjeçarja e harroi shumë shpejt zhgënjimin e Olimpiadës së Londrës, duke arritur rezultate mbresëlënëse për gjysmë viti.

Kjo mund të bëjë që ajo ta marrë primatin në ranglistën botërore të xhudisteve. Trajneri Driton Kuka mburret me sukseset e Majlindës.

“Pas kësaj gare, Majlinda do të jetë në Top 1 të ranglistës botërore. Kjo flet vetvetiu se çfarë niveli e ka arritur ajo në këta gjashtë muajt e fundit. Në sport, gjithmonë ekziston një luftë për plasman sa më të lartë. Por, kjo është hera e parë që në një sport olimpik, Kosova të jetë e para në ranglistën botërore”, deklaroi Kuka për Express.

Duhet theksuar se turnetë ‘Grand Prix’, si ky që u mbajt në Samsun, janë gara ndërkombëtare të nivelit shumë të lartë, në të cilët marrin pjesë xhudistët e xhudistet më të mira në botë.

Turneu "Grand Prix" i Samsunit është i fundit për xhudistet kosovare para Kampionatit Evropian. Vendi i parë në Grand Prix siguron 300 pikë në renditjen botërore.

Aktualisht Majlinda është e dyta në kategorinë deri 52 kg, ndërsa medalja e Turqisë mund ta ngrejë në krye, në ranglistën e cila do të publikohet në fillim të javës së ardhshme.

E pandalshmja Majlinda godet sërish

 

Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF), përmes uebfaqes së vet zyrtare e ka lavdëruar xhudisten pejane, Majlinda Kelmendi, e cila e regjistroi suksesin e radhës në Turqi.

“Majlinda Kelmendi e kapi finalen e tretë rresht në ‘World Judo Tour’, ndërsa e vazhdoi formën e jashtëzakonshme, e cila e ndihmi që ta fitonte medaljen e argjendtë në ‘Paris Grand Slam’ dhe të artën në ‘Dusseldorf Grand Prix’. E pandalshmja Kelmendi e mundi gjermanen Kraeh Mareen me Ippon pas vetëm 75 sekondash”, shkruan IJF.

Kthehu mbrapa

Shto koment