Llullaku dëshiron të luajë për Kosovën

10.03.2014 (komentet: 0)

Futbollisti nga Istogu që bart fanellën e skuadrës rumune, Gaz Meta, Azdren Llullaku, ka deklaruar se është i gatshëm për t’iu bashkuar Përfaqësueses së Kosovës qysh në miqësoren e ardhshme kundër Turqisë, në muajin maj.

 

Llullaku, i cili ka qenë i grumbulluar me Shqipërinë në sfidën kundër Norvegjisë në Tiranë, në një bisedë për “Arenën” ka rrëfyer emocionet që i solli miqësorja Kosovë-Haiti, të cilin e ka ndjekur në TV.

“E kam përcjellë gjithë ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Haitit. Ishte një atmosferë tejet e mirë dhe në atë moment më është shfaqur një dëshirë tejet e madhe që të jem i pranishëm para gjithë atyre tifozëve”, ka thënë Llullaku.

Ai më tej ka thënë se përzgjedhësi Albert Bunjaki mund të llogarisë në shërbimet e tij për ndeshjen e radhës.

“Dëshira është e madhe që të jem në fushë në takim kundër Turqisë. Unë do të kthehem në formën time më të mirë dhe tani mbetet në dorë të trajnerit Bunjaki nëse dëshiron të më ftoj apo jo. Krejt çka mund të them është se Kosova le të llogaritë në shërbimet e mia”, ka theksuar Llullaku.

Ai ka thënë se nëse do t’i vije ftesa nga Kosova për këtë do ta njoftojë edhe Federatën Shqiptare të Futbollit.

“Nëse vjen ftesa nga Kosova do t’i tregoj Shqipërisë që po kthehem të luaj për vendlindjen dhe do t’i falënderoj që kanë investuar në mua, Dëshira ka qenë e madhe që të jem edhe ndaj Haitit, mirëpo besoj se ndeshja ndaj Turqisë do të jetë edhe më madhështore”, është shprehur Llullaku.

/E.Smerqaku

Kthehu mbrapa

Shto koment