Liverpooli mbyt Djajtë në ‘tmerrin e ëndrrave’

16.03.2014 (komentet: 0)

Liverpooli është fuqizuar dhe e ka vërtetuar se është kandidat shumë serioz për titull të kampionit në Ligën Premier, pasi ka mposhtur me rezultat bindës prej 3-0 rivalin e përbetuar, Manchester United, në Old Trafford.

Pallati i Ëndrrave, këtë të dielë u shndërruar në tmerrin e ëndrrave. Përkundër formacionit fantastik nga United, kjo nuk pati ndikim në lojën shumë të mirë të Liverpoolit.

Pas disa sulmeve ishte Luis Suarez ai që depërtoi në zonë dhe goditja e tij u devijua me dorë nga Rafael. Penaltia u akordua për Liverpoolin dhe i saktë u tregua kapiteni legjendar, Steven Gerrard (34’).

Liverpooli vazhdoi mesulmet përkundër epërsisë teksa edhe United bëri përpjekjet maksimale. Veçohet goditja e Rooneyt e cila u ndal nga portieri Mignolet.

Pjesa e dytë ishte edhe më e zjarrtë. Pas një ndërhyrje në zonë ndaj Hendersonit, ishte gjyqtari i takimit ai që akordoi tjetër penalti me të filluar pjesa e dytë (47’). Sërish Gerrard i sakt, sërish në këndin e njëjtë për 2-0.

Tani Liverpooli krijoi epërsi solide, por jo edhe një qetësi të tillë. Manchester United u holl në sulm me anë të Januzajt dhe kombinimeve të mira mes Rooneyt e Matas. Përkundër mundësive të mira, Liverpooli qëndroi stoikisht në mbrojtje dhe sulmoi edhe më shumë portën e United me kundërsulme të rrezikshme.

Pas një rrëzimi teatral në zonë të Sturridge ishte Vidic ai që u ndëshkua me të kuq dhe u akordua edhe një penalti për Liverpoolin. (78’). Kur të gjithë menduan se Steven Gerrard do ta përfundonte takimin me një hettrik, ishte vet kapiteni ai që e ndërroi këndin për të qëlluar vetëm shtyllën pingule.

Liverpooli shfrytëzoi momentin teksa David Moyes largoi Januzajn. Luis Suarez u mohua nga një pozitë e pastër nga De Gea, por jo në minutën e 84, kur Suarez i iku grackës së ofsajdit për të shënuar për 3-0 dhe gëzimin e The Reds në mes të Teatrit të Ëndrrave, që u shndërrua në një tmerr të vërtetë.

Deri në fund nuk ndryshoi asgjë dhe Liverpooli nuk pranoi gol, duke u vërtetuar kështu si pretendenti më serioz për titull bashkë me Manchester Cityn.

Liverpooli pas kësaj fitoreje fantastike ka 62 pikë në vendin e dytë, katër pikë më pak se Chelsea, por një ndeshje më pak të zhvilluar. Manchester United ka vetëm 48 pikë në vendin e shtatë. /Telegrafi/

 

/E.Smerqaku/ 

 

Kthehu mbrapa

Shto koment