Lëmsh të Drita, shkarkohet për katër orë trajneri!

15.05.2014 (komentet: 0)

Bekim Isufi u shkarkua nga posti i trajnerit pas ndeshjes ndaj Hajvalisë dhe u rikthye aty vetëm brenda natës. Por, si ndodhi kjo? I pakënaqur me rezultatin dhe paraqitjen e skuadrës, nënkryetari Saqip Shala ka hyrë në zhveshtore pas takimit dhe u ka thënë Bekim Isufit dhe Ismet Ramushit që s’kanë çfarë të lypin më te Drita. I kontaktuar pas disa orësh nga Arena, Shala konfirmoi shkarkimin e Isufit, duke dhënë tutje edhe disa arsye.

 
“Bekim Isufi nuk është më trajner i Dritës. Ne si kryesi nuk jemi aspak të kënaqur me rezultatet e tij. Isufi nuk i ka inkuadruar në lojë futbollistët më të mirë. Ai i ka futur në lojë vetëm lojtarët ndaj të cilëve ka simpati”, deklaroi Shala.
 
Pastaj, Arena ka biseduar edhe me trajnerin Bekim Isufi, i cili nuk e ka pranuar shkarkimin. Siç mëson gazeta, pas kësaj telefonate, ka ndodhur një bisedë tjetër ndërmjet Shalës dhe Isufit. Palët kanë biseduar dhe vendimi për shkarkim është kthyer.
 
Këtë e konfirmoi edhe vetë Shala. “Kam biseduar me Isufin. Ai tani për tani nuk është i shkarkuar. Do të flasim gjatë ditëve të ardhshme dhe të vendosim për këtë çështje”, ka thënë donatori kryesor i klubit gjilanas. /standardi.eu/

Kthehu mbrapa

Shto koment