Lë Shqipërinë për Kosovën, Adelajda ndryshon historinë
19.07.2016 (komentet: 0)
Adelajda Prenga e ka ndryshuar historinë. Derisa shumë sportistë e sportiste nga Kosova e kanë përfaqësuar dhe vazhdojnë ta përfaqësojnë Shqipërinë, 25-vjeçarja bëhet e para që e bën të kundërtën. Ajo ka vendosur ta lërë Kombëtaren e Shqipërisë dhe dy motrat e saj, të cilat luajnë për ekipin kuqezi, për t’i mbrojtur ngjyrat e reprezentacionit kosovar. Ajo betohet se do ta japë maksimumin nga vetja për shtetin e dytë shqiptar
Tradicionalisht, Shqipëria është furnizuar vazhdimisht me sportistë nga Kosova duke e pasur parasysh se vendi ynë ishte i izoluar tërësisht me dekada.

Mirëpo, shumë shpejt pritet të ndodhë e kundërta. Adelajda Prenga do ta thyejë akullin duke u bërë sportistja e parë nga Shqipëria që e përfaqëson Kosovën, shkruan Zëri.

Volejbollistja shqiptare ishte pjesë e Kombëtares Shqiptare, por tash e tutje ka vendosur të luajë për vendin më të ri në Evropë. Ajo është pjesë e KV Drita në Gjilan qe disa vite dhe është e fejuar me trajnerin e saj, Lorik Ilazi.

Ajo dëshiron të konsiderohet lojtare vendore dhe për këtë vendosi të kërkojë të pajiset me pasaportën e Kosovës. “Më shumë ishte çështje e volejbollit që më ndihmonte të isha si lojtare vendore. Këtë ma kërkoi klubi. Mund të them se nuk është kushedi farë ndjesie ta marr pasaportën e Kosovës, ka më shumë të bëjë me sportin”, shpjegoi fillimisht Adelajda për “Zërin”.

“Unë kam qenë pjesë e Përfaqësueses së Shqipërisë, por sivjet hoqa dorë nga ajo, edhe pse më ftuan. Vendosa të luaj me Përfaqësuesen e Kosovës për faktin se po vazhdoj të luaj për Shqipërinë, sezonin e ri do të konsiderohesha përsëri lojtare e huaj tek Drita. I gjithë ky vendim dhe pasaporta u morën që unë të quhesha lojtare vendore”, shtoi ajo.

Ndihet e veçantë
Adelajda bëhet sportistja e parë shqiptare që luan për Kosovën. Pa dyshim, ky fakt e bën atë sportisten më speciale në Kosovë. Edhe vetë ajo ndihet e tillë.
“Po, sigurisht që ndihem e veçantë, por në fund të gjithë ne jemi shqiptarë”, nënvizoi Prenga.

Ajo nuk e fsheh faktin se në vendimin e saj për të luajtur për Kosovën dhe për t’u pajisur me pasaportën e këtij shteti ka ndikuar edhe i fejuari i saj, Loriku.
“Ka ndikuar normalisht në anën pozitive. Ishte një vendim i përbashkët”, sqaron ajo për Zërin.


Motra kundër motrave
Adelajda është grumbulluar një herë me Përfaqësuesen e Kosovës, e cila kishte luajtur kundër Kombëtares Shqiptare. Ajo ka luajtur kundër motrave të saj, Amarilda dhe Arjola, të cilat e përfaqësojnë Shqipërinë. Për të kjo ishte një ndjenjë e përzier.


“Unë luajta kundër motrave në këtë ndeshje dhe nuk ishte diçka e mirë, edhe pse prapëseprapë jemi mësuar. E humbëm këtë lojë 3-0”, shton ajo.

Adelajda tregon se Federata e Volejbollit të Kosovës ka bërë kërkesë tek presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe me vendimin e këtij të fundit, ajo tashmë është pajisur me pasaportë të Kosovës.
Për dallim nga Përfaqësuesja, tri motrat nga Rresheni i Mirditës, luajtën në të njëjtin ekip sezonin që shkoi duke e dominuar volejbollin kosovar me Dritën.
“Kjo ka qenë ndjesia më e veçantë për mua, duke qenë se morëm të gjithë trofetë e mundshëm”, u shpreh 25-vjeçarja.

Volejbolli kosovar, larg Evropës
Adelajda tregohet e sinqertë dhe e pranon se Përfaqësuesja e Kosovës nuk është në nivelet më të larta dhe se nevojitet shumë punë për t’u bërë në nivelin nacional.

“Për të qenë realiste dhe me këmbë në tokë, duhet shumë-shumë punë për t’i arritur nivelet e Shqipërisë e të mos flas për jashtë vendit, që jemi shumë larg”, tregon ajo. Në të ardhmen, edhe në sportet tjera mund të ndodhë që një sportist/e nga Shqipëria të luajë për Kosovën.
Adelajda luajti tek KV Drita bashkë me motrat e saj, Amarilda e Arjola, ndërsa i kishte kundërshtare në ndeshjen Kosovë – Shqipëri./Zëri/

Shto koment