Lajme të mira për Kosovën: Zvicra në valët e Shaqiromanisë!

29.06.2014 (komentet: 0)


Lajme të mira për Kosovën: Zvicra në valët e Shaqiromanisë!

Sot nuk paska gazetë zvicerane pa një apo dy apo tre artikuj për Xherdan Shaqirin. Shaqiromania po vazhdon.
Gazeta “SonntagsZeitung” shkruan për entuziazmin e shqiptarëve kudo, e sidomos në Kosovë, për futbollistin trupvogël, Xherdan Shaqiri.


Pas ndeshjes së fundit me Hondurasin, ku Shaqiri shënoi tre gola, emri i tij në rrjetet sociale u përmend 125 mijë herë. Kjo është reklamë edhe për Kosovën – falas. Pas shumë viteve me konflikte, luftëra, kriza dhe varfëri shqiptarët e Kosovës, gjysma e të cilëve janë nën moshën 30-vjeçare, janë të etur për lajme të mira, përcjell koha.net. Së paku Xherdan Shaqiri tani kujdeset për këto lajme.

Gazeta “SonntagsBlick” portreton familjen e Xherdan Shaqirit. Si erdhi nga Gjilani në Basel, ku babai i tij Iseni punoi murator? Babai sot thotë: “Fëmijët e mi nuk kanë ngrënë me lugë të arit dhe ky fakt neve dhe Xherdanin na kanë bërë edhe më të fortë”. Pas çdo ndeshjeje, shkruan kjo gazetë, Xherdani i telefonon së pari nënës së tij, Fatimes, e cila nuk interesohet sa gola i ka shënuar, por a mos është lënduar biri i saj. Xherdani lavdëron sidomos gatimet e nënës së tij nga kuzhina tradicionale shqiptare.

Vëllai Arianiti e kishte marrë me vete në fushë të futbollit Xherdanin e vogël. Vëllai tjetër Erdini merret me marketing në futboll dhe nganjëherë është edhe zëdhënës i Xherdanit.

Princesha e shtëpisë është motra 14-vjeçare, Medina. “SonntagsBlick” shpreson se uniteti mbresëlënës brenda familjes do t’i ndihmojë Xherdanit edhe të martën kundër Argjentinës.

Gazeta e Zvicrës frankofone “Le Matin” ka takuar në Gjenevë Blerimin, Ibrahimin dhe Afrimin – që të tre kushërinj të Xherdan Shaqirit – dhe kjo nuk duket si befasi, sepse gati gjysma e Zhegrës, fshatit të lindjes së Xherdanit, jeton në Gjenevë.

Gazeta “Schweiz am Sonntag” si tweet të javës e ka përzgjedhur shënimin e Shaqirit pas ndeshjes kundër Hondurasit: “I dedicate this Hattrick my lovely Family!! Thank you all for the support from Switzerland, Kosovo, Albania.”

Kthehu mbrapa

Shto koment