KK Drita më e suksesshme, e Elhami Shabani më i miri

07.02.2015 (komentet: 0)

 

Federata e Karatesë së Kosovës shpalli më të mirët për vitin 2014 për grupmoshat e reja (prej 7 deri në 13 vjet), kadetë (14-15 vjet), juniorë (16-17 vjet) dhe për seniorë (18 vjet e më shumë). KK Drita përmes një komunikate ka bërë me dije se nga këto 4 kategori klubi i karatesë “Drita” shpallet klubi më i suksesshëm në kategorinë e seniorëve si dhe në kategorinë për grupmoshat e reja.

 

 

Sipas rregullores së shpalljes së sportistit të vitit (në totalin e këtyre kategorive ku prej katër kategorive llogariten pikët e tri kategorive edhe atë pikët e kadetëve, juniorëve dhe seniorëve) klubi i karatesë “Drita” shpallet edhe klubi më i mirë në Kosovë ndërsa kryetrajneri i këtij klubi Blerim Hajdari shpallet trajneri më i suksesshëm.

 

Edhe karateistët tanë të suksesshëm janë shpërblyer me mirënjohje ku karateisti ynë Elhami Shabani shpallet karateisti më i suksesshëm në Kosovë për 2014,     Erit Bajrami shpallet më i miri në kategorinë e grupmoshës 8 vjeçare, tek nxënësit e rinj (10-11 vjet) Ariana Asllani radhitet e 2-ta, tek kadetët e rinj (12-13 vjet) Vesa Ibrahimi radhitet e 2-ta, tek kadetët e rinj (12-13 vjet) Betim Maliqi i radhitet i 3-ti, tek kadetët e rinj (12-13 vjet) Vlera Qerimi e radhitet e 4-ta, tek seniorët Albiona Asllani radhitet e 5-ta, tek kadetët (14-15)  Benjamin Shabani radhitet i 6-ti, Gresa Nuhiu radhitet e 7-ta dhe Lorik Arifi radhitet i 8-ti, tek nxënësit e rinj (9 vjeç)  Leart Maliqi radhitet i 8-ti,  tek fatosat (7 vjeç) Andi Aliu radhitet i 8-ti, tek kadetët e rinj (12-13 vjet)  Endrit Beka radhitet i 9-ti si dhe tek juniorët (16-17 vjet) Vlora Selimi radhitet e 10-a.

 

“Vlen të theksohet se nga gjithsej 45 karateist sa janë aktiv në klubin tonë 31 prej tyre kanë qenë të paraqitur si garues në Federatën e Karatesë së Kosovës ku 29 prej tyre kanë fituar medalje nëpër turne të ndryshme të karatesë. Në emër të kryesisë dhe të prindërve falënderoj trajnerët Blerim Hajdarin, Agron Tosunin dhe Selami Hazirin për punën e tyre të palodhshme me karateistët e klubit tonë, ndërsa karateistët përgëzojmë për rezultatet e arritura në vitin 2014 si dhe ju dëshirojmë suksese edhe më të mira në vitin 2015.

Një falënderim i veçantë shkon edhe për sponsorët tanë të cilët na ndihmuan në realizimin e këtyre rezultateve të mira”, thuhet në komunikatën e KK Drita.

 

Karateisti gjilanas Elhami Shabani më i miri

 

Në përzgjedhjen e Lauratëve për vitin 2014 të karatesë në Kosovë nga Federata e Karatesë së Kosovës, karateisti nga KK Drita Elhami Shabani pa konkurrencë në mënyrë unanime dhe me plot meritë shpallet më i miri i karatesë së Kosovës për vitin 2014.

 

Karateisti 21 vjeçar gjatë tërë vitit të kaluar dëshmoi se është i pa konkurrencë në Republikën e Kosovës, paraqitjet e tij në turnire të ndryshme si vendore po ashtu edhe mbar ndërkombëtare, lanë gjurmë duke bërë të ditur se kemi të bëjmë me një talent të jashtëzakonshëm dhe ardhmëri e karatesë së Kosovës.

 

Për përzgjedhjen e tij më të mirë për vitin 2014 Shabani shprehet,"Ishte një vit me shumë suksese, në çdo paraqitje timen si në arenën vendore po ashtu edhe në atë ndërkombëtare, gjithmonë isha në pozitë të parë, dhe mendoj se me meritë ky epitet më takoi mua sipas rezultateve të arritura por nuk do të ndalem me këto suksese".

 

Ky talent i karatesë i cili me paraqitjet e tij dëshmoi se kemi të bëjmë me një karateist me përmasa botërore tregon për ambiciet e tij gjatë vitit 2015,"Ky vit do të jetë një vit shumë i begatshëm me paraqitjet e mija në arenën ndërkombëtare jam duke u përgatitur në mënyrë speciale për Kampionatin Evropian i cili do të mbahet në Stamboll të Turqisë në Mars të këtij viti, synimi im është që nga ky kampionat të kthehem me medalje të artë dhe ti hapi shtigjet e karrierës sime në arenën ndërkombëtare , dhe ta përfaqësoj shtetin e Kosovës sa më denjësisht".

 

Një gjë të tillë e konfirmon edhe trajneri i KK Drita Blerim Hajdari i cili u zgjedh trajneri i vitit 2014 nga Federata e Karatesë së Kosovës,"Eshtë një nder i veçantë që në skuadër të kesh një karateist të kalibrit të Elhami Shabanit i cili për mendimin tim është i pa konkurrencë në Republikën e Kosovës, kemi aspirata të mëdha me këtë karateist dhe mendoj se viti 2015 do të jetë vit i Shabanit me rezultatet e arritura dhe në këtë drejtim jemi duke punuar në mënyrë profesionale".

 

Në përzgjedhjen e "Lauretve 2014" të karatesë së Kosovës epiteti i më të mirit përpos Elhami Shabnit dhe trajnerit më të mirë Blerim Shabani këtë epitet e mori edhe KK Drita. "Po dëshmojmë se në mesin tonë gjithçka është profesionale, duke filluar nga strukturat udhëheqëse, karateistët e trajnerët kjo dëshmon se kur punohet në mënyrë profesionale edhe rezultatet nuk mungojnë ", shprehet numri tutje Elhami Shabani.

 

Njëzetenjëvjeçari Shabani nuk është i vetëm në familjen e tij që merret me karate ai ka edhe dy vëllezër, 15 vjeçarin Benjaminin i cili ishte në mesin e 10 më të mirëve të karatesë së Kosovës dhe 14 vjeçarin Shpresimin të cilët pritet të jenë ardhmëri e karatesë jo vetëm të KK Drita, por të karatesë së Republikës së Kosovës.

 

/ S.I / 2L ONLINE /

Kthehu mbrapa

Shto koment