Juve thyen rekord

12.05.2014 (komentet: 0)

Me rezultat 1-0, Juventusi e ka mposhtur Romën në Stadio Olimpico në ndeshjen e parafundit sezonale të edicionit 2013/2014.

Kjo lojë ishte për prestigj, pasi Juve është shpallur kampion, ndërsa Roma ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.

Në gjysmën e parë, Bianconerët u treguan të rrezikshëm në fazën ofensive duke i mbajtur në mbrojtje vendasit.

Ndërkohë, loja e Giallorossëve ishte e përqendruar në kundërsulme. Gervinho dhe Destro patën rastet e tyre.

Vendasit shënuan njëherë me Torosidis, i cili realizoi jo me këmbë, por me dorë. Dhe natyrisht goli u anulua.

Në gjysmën e dytë, nikoqirët u angazhuan më shumë në përpjekje që ta mposhtnin kampionin, por pa sukses. Ndërkaq, edhe bardhezinjtë nuk e lanë të qetë portierin vendas.

Dhe në minutat shtesë (90’+4), i inkuadruari në 15-të minutat e fundit, Pablo Daniel Osvaldo, i shënoi ish-skuadrës së tij pas harkimit të Lichtsteiner.

Juventusi ka arkëtuar 99 pikë një javë pa përfunduar kampionati dhe në këtë mënyrë e ka thyer rekordin e Interit (prej 97 pikësh nga sezoni 2006/2007) për numrin e pikëve brenda një sezoni.

Me një barazim në ndeshjen e fundit kampionale kundër Cagliarit, Zonja e Vjetër do të arrijë 100 pikë, kurse me fitore 102 pikë duke e rritur akoma më shumë rekordin.

Këtë sezon, Juventusi ka vënë një tjetër rekord për numrin e fitoreve – deri më tash këtë sezon ka shënuar 32 fitore (rekordi i mëparshëm mbahej nga Interi me 30 fitore, në sezonin 2006/2007). 

Kthehu mbrapa

Shto koment