ISUFI JEP DORËHEQJE

06.04.2012 (komentet: 0)

Pas rezultateve të dobëta në pranverë, Bekim Isufi ka vendosur të japë dorëheqje. Ekipin bardh e kaltër, deri në fund të sezonit do ta udhëheq Afrim Shahini.

Rezultatet e dobëta që e përshkuan Dritën në pesë ndeshjet e para të stinorit pranveror, e shtynë trajnerin Bekim Isufi që ta ofrojë dorëheqjen.

Trajneri gjilanas vendosi të ndahet përfundimisht me ekipin gjilanas, ngase nuk mund të pajtohet me krizën që e ka përshkuar ekipin e tij të deritashëm, pas shkëlqimit që e pati në vjeshtë, në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll.

“Nuk munda të pajtohem me formën aktuale dhe me rezultatet që i regjistruam, pas një forme të shkëlqyeshme që e patëm në vjeshtë. Për këtë, e ndjeva obligim moral që t’ia lë vendin dikujt tjetër, edhe pse kemi punuar shumë, kemi avancuar dhe rezultatet nuk kanë munguar”, deklaroi fillimisht Jusufi.

Ai e ka falënderuar kryesinë e klubit, futbollistët dhe tifozët, për përkrahjen që i dhanë gjatë periudhës sa e udhëhoqi Dritën. “Gjatë periudhës prej një viti e gjysmë, kam arritur të bëj diçka interesante për Dritën, por edhe për futbollin e Kosovës. Kemi bërë lojë atraktive. Drita ka lojtarë të mirë dhe duhet t’u kthehet rezultateve të vjeshtës”, përfundoi ai.

Drejtori i klubit, Ismajl Rashiti ka njoftuar se e ka marrë vendimin e Isufit, për të cilin thotë se ka nevojë për të pushuar pak. Ai njoftoi se ekipin në vazhdim të sezonit do ta udhëheq ndihmësi i Isufit, Afrim Shahini.

Kthehu mbrapa

Shto koment