Ilazi: Drita ishte e perfeksionuar përballë një kundërshtari të dobët

09.05.2014 (komentet: 0)

“Mbas fitores në gjysmëfinale nga AAB-ja unë ju kam thënë vajzave se tani Kupa është nisur për në Gjilan dhe është rrugës! E kemi ditur se do ta mposhtim Kastriotin në finale dhe kemi qenë shumë te bindur në këtë, sepse ekipi që unë udhëheq filloj të marrë ngritje shumë të madhe dhe perfeksionim të lojës”, kështu ka thënë trajneri i klubit të volejbollit Drita në konkurrencën e femrave, Lorik Ilazi në një intervistë për portalin “Publiku.net”.

 

Drita e mposhti me rezultat të pastër 3:0 në setet skuadrën e Kastriotit në finalen e Kupës së Kosovës në volejboll, e cila u luajt të mërkurën në Prishtinë.

Trajneri Ilazi, pas ndeshjes kishte deklaruar se e ka turpëruar Kastriotin dhe në njëfarë mënyrë përfaqësuesen e Kosovës, por ai i ka thënë “Publiku.net” se një gjë të tillë nuk e ka bërë qëllimisht, madje as që i kujtohet, por si do që të jetë trajneri i Dritës ka thënë se atë gabim e korrigjon me një fjali tjetër.

 “Deklarate ime pas finales së Kupës mund të duket bombastike, nuk e di saktë edhe çka kam deklaruar në fakt sepse emocionet kanë qenë shumë te mëdha dhe kam qenë nën ndikimin e emocioneve. Mirëpo, tani mund të them dhe të korrigjojë atë deklaratë që ne ishim më të mirë në të gjitha aspektet, si profesionale, taktike, psikike dhe në menaxhim të ekipit, që mendoj se kjo e fundit ka qenë edhe çeli i suksesit të fitores tonë. Dominimi gjatë tri seteve ka qenë i vashave të Dritës, kjo argumentohet me 75 pikët e realizuara nga ne, kundrejt vetëm 45 pikëve të kundërshtarit, që mendoj për një finale është shumë diferencë e madhe”, është shprehur Ilazi.

Vështirë arritën në finale

“Gjithmonë rruga që të sjell në final ka pengesa dhe nuk është e lehtë. Ne sfidën më të madhe për arritje në finale e kemi pasur ekipin e Universitetit AAB me të cilin jemi përballur në gjysmëfinale ku nuk ka qenë aspak lehtë pasi që në radhët e veta ka një Shemsije Asllanaj që është shembull e volejbollistes dhe më e mira e gjithë kohëve për mendimin tim në Kosovë, por që ne triumfuan me rezultat 3 me 0 por të ngushtë dhe me shumë rivalitet nëpër sete", ka thënë trajneri i Dritës Lorik Ilazi, i cili si një gjë të mirë në finalen kundër Kastriotit e veçoj dominimin total të një ekipe të organizuar më vajza shumë të reja që janë e ardhmja e volejbollit Kosovar, me një dominim që sipas tij tregon se kjo Kosovë është e Dritës me lojtare të reja me ambicie të mëdha, dhe një lojë shumë të dobët të kundërshtarit që nuk na rrezikojë asnjëherë në asnjë moment.

Merita është e vajzave

Një meritë të veçantë për suksesin e Dritës, sipas trajnerit Ilazi e kanë të gjitha volejbollistet, që sipas tij luajnë për klubin pa përfituar asnjë cent.

“Meritat i takojnë së pari atyre që ishin para nesh e që lanë shumë traditë në këtë sport që ne ti vazhdojmë e që sot të gëzohemi. E momentalisht gjithë atyre vajzave që ja kushtojnë çdo ditë nga 3 orë të jetës së vet këtij klubi e që e zbukurojnë ermin e këtij klubi pa asnjë përfitim financiar, dua ta veçoj Kapitenen Maksuti e cila me marrje parash zero si gjithë gocat tjera sakrifikon shumë vetëm që emri “Drita” të jetë këtu ku është”, është shprehur Ilazi, i cili në mënyrë të veçantë i ka përshkruar të gjitha volejbollistet e tij për suksesin e arritur.

“Nuk i kisha dalluar asnjë, por normalisht se dy lojtaret nga Shqipëria që ne kemi në ekip që janë Adelajda Prenga e Ergysa Blloku kanë qenë shtyllat kryesore të ekipit dhe mbështetëset kryesore për vajzat tona të reja që janë: Pasuesja Blinera Jaha me teknikën perfekte të pasimit, Fjolla Hyseni një mbretëreshë e vërtet në mbrojtje, Ira Salihu një libero e së ardhmes jo vetëm në Kosovë, Fjolla Shabani sulmuese shembull e të ashtuquajturës gjuajtje e shpejt ose “penallti”, Margona Maksuti një kapitene e denjë, si dhe Ronita Leka , Blorenta Kadriu e Majlinda Abazi që janë forca ma e madhe në stërvitjet tona e zëvendësuese të spikatura nëpër ndeshje”.

/Florim Maliqaj/Publiku.net/

Kthehu mbrapa

Shto koment