Historia interesante e Realit

29.03.2013 (komentet: 0)

Në katër sezonet e fundit, Real Madridi ka shpenzuar më shumë se 450 milionë euro. Një shifër e cila ua ka mundësuar ‘Los Blancos’ të blejnë lojtarë të mëdhenj si Cristiano Ronaldo, Karim Benzema, Mesut Ozil e Di Maria.

Por, duke e konsideruar se këta të katërt i kanë kushtuar 180 milionë, për kë janë shpenzuar gjithë ato para tjera?

Shumica e këtyre parave kanë shërbyer për blerjen e lojtarëve që nuk e kanë dhënë atë që pritej nga ta, duke zhgënjyer drejtuesit e klubit dhe trajnerët që punuan me ta.

Dhe, ylli që e kishin në ballë shumë nga këta lojtarë, pasi kanë zbritur në fushë me ‘Merengues’, ka filluar të mos shkëlqejë më. Me pak fjalë, ëndrra e tyre është rrënuar menjëherë.

I pari në listë është pa dyshim Ricardo Kakà. Presidenti Florentino Perez, në verën e vitit 2009 kishte shpenzuar 65 milionë euro, për ta marrë nga Milani.

Një ofertë e pa rezistueshme, vështirë të refuzohej. Braziliani, bashkë me Ronaldon dhe Benzeman, ishte pritur në stadium si një yll.

Problemi është se Kaka i Madridit nuk është ai i Milanit. Me arritjen e Jose Mourinhos dhe me disa lëndime, xhevahiri brazilian u transferua në një rezervë luksoze.

Po çka të themi për Raul Albiol, Nuri Sahin e Fabio Coentrao, të cilët janë blerë për 15, 10 e 33 milionë euro?

Raul Albiol nuk luan, praktikisht, kurrë. Sahin, pas një sezoni të parë ku e pa fushën shumë pak, ishte dërguar në Liverpool si huazim, ndërsa më pas iu shit Borussia Dortmundit, skuadër e cila ia kishte shitur turkun Realit në vitin 2011.

Dhe, i fundit, 33 milionëshi Coentrao shpesh ka përfunduar në bankinë, për t’ia lënë vendin Marcelos. Por, nuk ka marrë fund këtu. Në vitet e fundit, Real Madridi ka llogaritur në disa lojtarë holandezë.

Sneijder, Robben e Van Nisterlrooy nuk janë të vetmit ‘Orange’ që e kanë veshur ‘këmishën e bardhë’.

Klubi spanjoll ka shpenzuar 56 milionë të tjerë, në total, për t’i sjell në Santiago Bernabeu ‘tulipanët’ Huntelaar (27 milionë), Drenthe (14) e Van der Vaart (15).

Rezultati? Huntelaar ka luajtur në total 20 ndeshje me Realin, duke realizuar 8 gola, para se të kalonte në Milan për një shumë të përgjysmuar.

Drenthe u njoh më shumë për goditjet e tij ndaj kundërshtarëve, sesa për paraqitjet e tij. Tash luan në Rusi në Alania Vladikavkaz, klub i i panjohur ky.

Në fund, Van der Vaart, i cili po ashtu nuk ka lënë ndonjë shenjë në kryeqytetin spanjoll. Ka edhe më keq.

A e kujtoni Mahamadou Diarra? Real Madridi kishte paguar plot 26 milionë euro për ta angazhuar nga Lyoni në vitin 2006.

Pas dy sezonesh dinjitoze me ‘Galacticos’, në periudhën 2008-2011 ka hyrë në lojë vetëm 27 herë. Fulhami e kishte marrë pa paguar dëmshpërblim në shkurt të vitit 2012.

Sigurisht, blerje e duhur për ekipin madrilen nuk ishte as Fernando Gago. ‘El Pintita’ ishte blerë nga Boca Juniors në janar të vitit 2007 për 20,5 milionë euro. Sigurisht, më shumë errësirë sesa dritë edhe për të në Spanjë.

Pas eksperiencës madrilene, nuk e ka gjetur më veten. Roma nuk e konfirmoi pasi e huazoi, ndërsa Valencia, e cila e kishte blerë nga Reali verën e shkuar për 3,5 milionë, e ka huazuar në Velez Sarsfield në janarin e këtij viti.

Në fund, është me vend të flitet për njërin prej dështimeve më të madhe, Michael Owen, i cili së fundmi ka thënë se planifikon të pensionohet në fund të sezonit.

Reali e kishte blerë nga Liverpooli në vitin 2004 për 12 milionë euro, për ta dhënë si shkëmbim edhe Antonio Nunezin. Një investim ky i cili konsiderohej si më pak i kritikuari nga të gjithë të tjerët.

Duhet thënë se ‘Wonder Boy’, për shkak të lëndimeve dhe formës jo të mirë, nuk mundi të tregohej në ekipin mbretëror, për dallim të periudhës kur ishte në Liverpool, kur kishte shënuar 158 gola në 297 ndeshje.

Me gjithë këta emra, do të mjaftonte vetëm një portier dhe skuadra do të ishte e ndërtuar në mënyrë perfekte. Një skuadër e nivelit absolut, por gjithnjë e goditur nga ‘sindromi’ Santiago Bernabeu.

Kthehu mbrapa

Shto koment