Haziri: Ky turne i boksit nuk do të mund të mbahej sot, pa sakrificën e dëshmorëve

10.05.2014 (komentet: 1)

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit dhe në organizim të përbashkët të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe klubit të Boksit “Drita”, sot është mbajtur turneu ndërkombëtar i Boksit “Agim Rashiti 2014”, në jubileun e 20 të organizimit të këtij turneu si dhe 25 vjetorin e vrasjes së Agim Rashitit.

 

Në këtë turne ndërkombëtar të boksit kanë marr pjesë boksier nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi Polonia dhe Çekia.

Fillimisht kryetari Haziri me bashkëpunëtor nga të gjitha nivelet institucionale të Komunës së Gjilanit kanë bërë homazhe para bustit të “Agim Rashitit” e më pas është hapur turneu i boksit.

Me këtë rast në hapjen e këtij turneu ndër të parët që ekziston në kalendarin e Federatës së Boksit, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se pa sakrificën e dëshmorëve dhe gjakut të derdhur në luftën për liri, nuk do të mund të kishim organizime të tilla.

“Jemi shumë të vegjël karshi dëshmorëve dhe të tillë do të mbetemi përherë. Do t’i nderojmë deri në përulje ata që dhanë më të shtrenjtën për lirinë e vendit. I tillë ishte edhe Agimi i cili u vra para 25 vitesh. Ishte boksier i zgjuar, i njohur porse zhvillimin e tij e ndërprenë në gjysmë. Ai mori pjesë edhe në demonstrata derisa u vra në vitin 1989. Ky dëshmorë dhe shumë të tjerë janë themeli i lirisë së këtij vendi. Organizimi i sotëm na bënë nder ne të gjallëve. Boksierëve garues në këtë ngjarje u dëshiroj luftë të qetë dhe me karakter sportiv”, ka thënë Haziri dhe ka shpallur të hapur këtë turne.

Ndërsa, në emër të këshillit organizativ, kryetarja e këshillit Shpresa Kurteshi, ka lexuar biografinë e dëshmorit dhe ka përshëndetur sportistët garues por edhe gjithë të pranishmit.

Ndryshe në këtë garë sportive janë realizuar tri para meçe dhe nëntë meçe kryesore me nga tre raunde, ku tre minuta kishte kohëzgjatje një raund.

Në kategorinë 60 kg, kanë garuar Gjenid Sabedini – Kosovë ka fituar meçin ndaj Llukas Gorecki – Poloni, i cili është diskualifikuar nga gara, poashtu në këtë kategori ishin edhe Violand Sylejmani – Kosovë që ka garuar kundër Ondrej Sshiler – Çeki garë e përfunduar me barazim dhe gara tjetër në këtë kategori e realizuar në mes Liridon Zeqirit – Kosovë që ka fituar kundër Llukas Goreckit - Çeki. Në kategorinë 64 kg ishin Angjelo Marko Asanaj – Shqipëri dhe Dragan Peshiqi – Mali i Zi dhe Visar Rexhepi – Kosovë që ka fituar ndaj Peter Drashgoviq – Mali i Zi.

Në kategorinë 69 kg ishin dy garues Denis Nuria – Shqipëri që ka fituar garën ndaj Kadri Muhamed – Maqedoni.

Në kategorinë 75 kg ishin Alban Mehmetaj – Shqipëri ndaj Bujar Zatriqi – Kosovë dhe Alban Beqiri – Shqipëri që ka fituar ndaj Millan Shatek – Çeki.

Kategoria 81 kg është realizuar në mes dy boksierëve Armend Xhoqaj – Kosovë dhe Boba Kosev – Maqedoni.

Ndryshe organizatori ka nderuar boksierët edhe kupat për disiplinat Boksieri më me perspektivë Armend Xhoqajn, kurse Tekniku më i mirë iu dha boksierit Anxhelo Merko Asanaj, Çifti më luftarak ishte ai i Violand Sylejmanit dhe Ondrej Sshiler, ndërsa boksieri më i mirë i turneut ndërkombëtar “Agim Rashiti 2014”, iu dha Visar Rexhepit nga Gjilani. 

Kthehu mbrapa

Shto koment

Koment nga Dren Daku | 11.05.2014

Visar Rexhepi u shpall si me i miri i ketij turneu