Haziri: Gjithçka gati për Ligën e Kampionëve, vashat e “Dritës” do të na e zbardhin fytyrën

13.10.2016 (komentet: 0)

Në prag të ndeshjes ndërkombëtare që klubi i volejbollit “Drita” femrat, e pret kampionin e Bullgarisë “Maritza Plovdiv”, në kuadër të Ligës së Kampionëve, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka vizituar palestrën e sporteve “Bashkim Selishta-Petrit, për ta parë nga afër punën e madhe që po bëhet aty në përgatitje për këtë ndeshje.

 

 

“Përfundimisht, jemi në fazën finale të përgatitjes, kanë mbetur edhe disa detaje të vogla që na kërkohet të plotësohen standardet ndërkombëtare. Jemi krenarë me klubin e volejbollit “Drita”, i cili po na përfaqëson në gara europiane në volejboll, në Ligën e Kampionëve. Unë besoj në këto vajza dhe këto kampione të Kosovës do të na e zbardhin fytyrën në garat ndërkombëtare. Komuna është në mbështetje të plotë të këtij klubi dhe klubeve të tjera, në mënyrë që salla të përgatitet dhe të mirëmbahet”, ka thënë Haziri.

 

Ai tha se kjo është infrastruktura fillestare, duke premtuar se vitin e ardhshëm do të kompletohet brenda dhe jashtë palestrës.

 

“Kjo është infrastruktura fillestare. Më vonë do të investojmë në mënyrë që të standardizohet edhe për lojëra tjera të sporteve të dorës dhe sporteve tjera. Do të investojmë edhe në brendësi të sallës edhe jashtë do të kompletohet infrastruktura. Me këtë rast e falënderoj Njësinë e Sportit dhe punëtorët e palestrës për punën e madhe”, tha kryetari Haziri.

 

Lorik Ilazi, kryetrajner i KV “Drita”, ka falënderuar kryetarin Haziri për investimet në palestër, në mënyrë që ndeshja të zhvillohet në mënyrën më të mirë.

 

“Në emër të klubit, e falënderoj kryetarin Haziri për investimet, në mënyrë që të na e mundësohet që të luajmë në qytetin tonë. Javë më parë e kemi pasur një zyrtare nga Federata Europiane për miratimin e palestrës, ajo i ka kërkuar disa rregulla, të cilat Komuna e Gjilanit i ka ofruar dhe të gjitha ato kërkesa janë në plotësim e sipër. Kjo na e shton motivin dhe vullnetin për punë që ne të përfaqësohemi sa më mirë, kur e dimë që e kemi prapa kryetarin që na mbështetë vazhdimisht”, ka deklaruar trajneri Ilazi.

 

Ilazi tha se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për këtë ndeshje, duke angazhuar edhe dy lojtare nga SHBA dhe Brazili, duke shtuar se shpreson se do t’i gëzoj të gjithë gjilanasit me rezultat të mirë. Ndeshja “Drita”- “Maritza Plovdiv” do të zhvillohet të martën mbrëma në ora 19:00, në palestrën e sporteve “Bashkim Selishta-Petriti” në Gjilan.

Kthehu mbrapa

Shto koment