Galatasaray eleminohet faqe bardhë

09.04.2013 (komentet: 0)

Real Madridi e ka konfirmuar pjesëmarrjen në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve duke eliminuar skuadrën turke Galatasaray, e cila fitoi me rezultat 3-1 dhe ishte superiore përballë Mbretërve në Stamboll.

Përballja e parë e zhvilluar në Santiago Bernabeu, përfundoi me rezultat 3-0 në favor të Los Blancos, të cilët pas ndeshjes kthyese kualifikohen me rezultat të përgjithshëm prej 5-3.

Gjysma e parë e takimit në Turk Telekom Arena u përcoll me një atmosferë të zjarrtë të tifozëve vendas, të cilët nuk reshtën së mbështeturi skuadrën e tyre, e cila dominonte në fushë, mirëpo rezultati ishte në favor të mysafirëve.

Një gol i hershëm i Cristiano Ronaldos (7’), shoi shpresat e ekipit turk, i cili duhej të shënonte pesë gola për t’u kualifikuar.

Megjithatë, angazhimi i tyre dhe entuziazmi i tifozëve vazhdoi derisa gjyqtari dha shenjë që skuadrat të shkonin në pushim.

Edhe në fraksionin e dytë insistimi i vendasve ishte i pandalshëm. Emmanuel Eboue pranoi një top të Sneijder për të shënuar një supergol nga distanca (57’) duke e barazuar rezultatin.

Në këtë periudhë, Ronaldo nga njëra anë dhe Sneijder nga tjetra, bënë huqjet nga më të këqijat në karrierat e tyre.

Megjithatë, holandezi arriti ta përmirësojë gabimin duke e ngushtuar edhe më shumë diferencën e përgjithshme dhe duke kaluar në avantazh Galatan në këtë takim (70’).

Didier Drogba reagoi për mrekulli pas një asistimi të Nordin Amrabat duke shënuar me thembër dhe duke çuar në ekstazë tifozët në stadium, pasi që u nevojiteshin edhe dy gola për të shkuar tutje.

Mirëpo, ata nuk arritën të shënojnë gola të tjerë deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit, për më shumë Ronaldo shënoi edhe golin e dytë personal (90’+2) dhe gjysmëfinalist është Real Madridi.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment