Futbolli Kosovar në halle.

17.03.2013 (komentet: 0)

Ndryshimet e mbrendeshme ne FFK duket qe nuk i kan kryer pune sportit kosovar.

Federata e Futbollit e Kosovës nuk e ka ndërmend të jetë serioze. Pas lëshimit që bën me arbitra, të cilët përkundër që nuk e kaluan testin, u falën dhe nisën të gjykojnë, FFK-ja ka bërë edhe një lëshim tjetër. Shtëpia e futbollit kosovar vendosi që disa fusha të futbollit që ishin paralajmëruar se nuk do të pranohen, dy ditë para fillimit të kampionatit ato u pranuan.

Rasti i fushës së Ferronikelit, është vërtet interesant. Ekipi nga Drenasi ndeshjen për kupë kundër Prishtinës nuk e zhvilloi në fushën e tyre për shkak të mosplotësimit të kushteve, por mjaftoi të kalojnë një javë që ata të riparojnë fushën dhe të bëjnë gati për ta zhvilluar ndeshjen kampionale me Hajvalinë, dhe ja që tash përsëri fusha e tyre është përjashtuar nga FFK-ja.

Kryetari i Komisionit për Inspektimin e Fushave, Agim Maloku, dhe anëtari i këtij komisioni, Adem Çollakaj, ishte e pamundur të kontaktohen për shkak se celularët e tyre ishin të fikur. Mirëpo, burime të gazetës, brenda Federatës së Futbollit të Kosovës, kanë konfirmuar se fusha e Ferronikelit pas riinspektimit është përjashtuar. “Komisioni ka dalë dhe e ka riinspektuar fushën në Drenas, ku ka konstatuar se ajo nuk i plotëson kriteret për t’u luajtur ndeshjet, kështu që Ferronikeli ndeshjen e radhës duhet ta zhvillojë diku tjetër”, tha burimi ynë i FFK-së.

Po sipas tij, mësohet se Ferronikeli është përcaktuar se ndeshjet e saj zyrtare t’i zhvillojë në Skenderaj. Se a e ka refuzuar këtë fushë Komisioni deri në përfundim të kampionatit, apo mund të ndodhë që pas një jave me disa intervenime në fushë, ajo përsëri të pranohet mbetet të shihet. Në hall për fushë është edhe skuadra e Hajvalisë, e cila dy ditë para zhvillimit të ndeshjes nuk e kishte të qartë se ku do të luajë. Ata ishin përcaktuar që ndeshjet si vendas t’i zhvillojnë në stadiumin e Kishnicës, por komisioni ka refuzuar këtë kërkesë. “Edhe Hajvalisë i është refuzuar fusha e Kishnicës, kështu që ata janë përcaktuar që ndeshjet si vendas t’i zhvillojnë në Kastriot”, tha burimi ynë.

Gjithsesi, ajo që duhet thënë është se sivjet kemi rekord përjashtime të fushave, plotë katër skuadra nuk mund të zhvillojnë aktivitetin në stadiumet e tyre. Trepça, po luan në stadiumin e Trepçës’89, Liria në Gjakovë, Ferronikeli në Skenderaj dhe Hajvalia në Kastriot.

Kthehu mbrapa

Shto koment