‘Futbolli kosovar në gjendje të rëndë’

25.02.2014 (komentet: 0)

Vlerëson se futbolli kosovar është duke kaluar në gjendje të rëndë. Është shumë i shqetësuar për shuarjen e Hysit, duke thënë se edhe institucionet shtetërore duhet të reflektojnë pas këtij lajmi. Sipas tij, edhe ndonjë klub tjetër kosovar nëse Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) nuk gjen zgjedhje, mund të veprojë sikurse Hysi. Flet edhe për synimet e Prishtinës në këtë edicion, kuvendin e klubit, teksa komenton edhe miqësoret e Përfaqësueses së Kosovës.

Remzi Ejupi, njeriu i parë i klubit më të madh kosovar, Prishtina, ka mbetur i shqetësuar me disa nga ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në futbollin e Kosovës. Presidenti i Prishtinës është ndjerë jashtëzakonisht keq me shuarjen e një prej klubeve me të organizuara në vitet e fundit, Hysit.

Në një intervistë për ‘Sport Plus’, Ejupi thotë se me largimin e Hysit, futbolli kosovar ka humbur shumë. “Së pari më vjen shumë keq që një klub si Hysi është detyruar që të largohet nga garat. Duhet që të gjithë institucionet duke nisur nga ato shtetërore të reflektojnë në mënyrë që të gjendet një zgjedhje për këtë klub”, ka deklaruar të dielën Remzi Ejupi. Tutje, Ejupi thotë se ky largim është dëshmi se në çfarë gjendje është futbolli kosovar.

“Konsideroj se është dëshmi se futbolli ynë është në gjendje të rëndë. Futbollin tonë e ka kapluar kriza financiare dhe mendoj se Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) të gjejë alternativa për të dal nga gjendje”, potencoi Remzi Ejupi. Ai vlerëson se nëse vazhdohet në këtë mënyrë, edhe ndonjë klub tjetër mund të marr vendim sikurse pronari i Hysit, Hysen Sadiku. “Nëse vazhdohet në këtë gjendje, vetëm duke investuar dhe mos fituar asgjë, normalisht se mund të kemi edhe shuarje të tjera klubesh”, theksoi Remzi Ejupi.

Për Prishtinën

Remzi Ejupi ka folur edhe për përgatitjet që është duke bërë Prishtina para nisjes së kampionatit. Ekipi ‘bardhekaltër’ i trajnerit Afrim Tovërlani u përgatit për më shumë se dhjetë ditë edhe në qytetin bregdetar të Ulqinit në Mal të Zi. Ejupi i bëri edhe një vizitë ekipit të tij. “Skuadra është përgatitur shumë mirë. Titulli i kampionit do të varet nga paraqitjet që do të ketë skuadra në fushë. Unë e di se kemi një ekip shumë të mirë”, shtoi Ejupi. Prishtina në vjeshtë tuboi 27 pikë teksa ndodhet në vendin e pestë, me dhjetë pikë më pak se lideri Llamkos Kosova.

Për miqësoret e Kosovës

Përfaqësueses së Kosovës më 13 janar të këtij viti, iu lejuan ndeshjet miqësore nga shtëpia më e madhe e futbollit në botë, FIFA. Kosova miqësoren e parë do ta luajë ndaj Kombëtares së Haitit më 5 mars në stadiumin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë. “Është mirë që po zhvillohet kjo ndeshje miqësore dhe duhet që të këtë sa më shumë takime të tilla”, përfundoi Remzi Ejupi.

Kuvendi i klubit

Ditë më parë është paralajmëruar se klubi i Prishtinës së shpejti do ta mbajë Kuvendin për t’u zgjedhur organet e reja drejtuese. “Ne për çdo muaj mbajmë Kuvende. Bordi i klubit e udhëheq Prishtinën”, deklaroi presidenti i Prishtinës, Remzi Ejup.

Pergaditi : Engjell Smerqaku

Kthehu mbrapa

Shto koment