FFK: Platini penalizon Kosovën për miqtë e tij serbë dhe rusë

23.03.2012 (komentet: 0)

Të martën dhe të mërkurën, në Stamboll të Turqisë, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s kanë kryer mbledhjen e radhës, ku kanë diskutuar problemet e caktuara. Në këtë mbledhje është paraparë që ky organ të nxjerrë një rekomandim për FIFA-n që ta lejojë apo jo përfaqësuesen e Kosovës dhe klubet e saj të zhvillojnë ndeshje miqësore ndërkombëtare. Por krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) nuk kanë ndonjë informacion nëse europianët kanë nxjerrë apo jo ndonjë rekomandim të atillë për FIFA-n.

Ekzekutiv i UEFA-s nuk do të lëshojë një rekomandim për FIFA-n që ta lejojë apo jo Kosovën dhe klubet e saj të zhvillojnë miqësore ndërkombëtare. Në fakt, një rekomandim të tillë UEFA ishte paraparë t’ia jepte FIFA-s para disa muajve, por nuk e pati bërë një gjë të tillë me arsyetimin se kishte kërkuar një mendim këshilldhënës nga zyra ligjore e saj.

UEFA prej kohësh është duke e zvarritur këtë çështje, e cila tashmë i ka nervozuar shumë udhëheqësit e futbollit kosovar. E për këtë zvarritje të tepruar, ata fajin kryesor ia hedhin presidentit të UEFA-s, Mishel Platini. “Faji më i madh i takon Platinisë, pasi ai i prin UEFA-s, e cila po e neglizhon shumë këtë çështje. Në këtë mënyrë, UEFA nuk po e aprovon një kërkesë shumë të drejtë dhe legjitime nga ana jonë, që të lejohemi të luajmë ndeshje futbolli,”- ka deklaruar për gazetën kosovare “Express” nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi.

Ai kritikoi njeriun e parë të futbollit europian, për të cilin tha se po i shkel të drejtat elementare të kosovarëve për t’ua bërë qejfin “miqve” të tij, të cilët e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës,  serbëve dhe rusëve. “Ai ka interesa të ngushta me ata që po e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, me serbë, rusë dhe ata nga vende të ish-Bashkimit Sovjetik.

Me votat e tyre, Platini ka fituar mandat në krye të UEFA-s,” – u shpreh Ademi. Madje, Ademi nuk e fsheh dyshimin e tij që Platini t’u ketë kërkuar vota kundërshtarëve të shtetit të Kosovës, duke u premtuar atyre se në kompensim të votave të tyre si president i UEFA-s do ta anashkalojë Kosovën. “Kosova do të shënojë progres dhe ne një ditë, jo fort larg, do të anëtarësohemi në FIFA e UEFA.

Por ata që e kanë anashkaluar Kosovën që prej 17 shkurtit të vitit 2008, ata që ua kanë mohuar të drejtën të rinjve, fëmijëve kosovarë për të luajtur futboll, nuk do të kenë miqësi me Kosovën. Për këtë garantoj, sepse po na i shkelin të drejtat tona humane”, vazhdoi Ademi i mllefosur. Ai sërish i bëri me dije FIFA-s e UEFA-s se FFK-ja shumë seriozisht është duke e shqyrtuar mundësinë që të drejtën e saj, të cilën po ia shkelin këto dy organizata, ta kërkojë nëpërmjet Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv.

Kthehu mbrapa

Shto koment