Emra që nuk harrohen: Nexhmedin Bunjaku

19.11.2013 (komentet: 0)

Nuk shtrembërohet historia...“Sot po ka përpjekje që të shtrembërohet një histori që bëmë ne veprimtarët e asaj kohe së bashku me popullin... Një histori që askush nuk ka të drejtë ta shtrembërojë, aq më tepër individët që më së paku, apo fare nuk kanë dhënë ndihmesën e tyre në atë periudhë të egër”, thotë Nexhmedin Bunjaku

 

Xhavit KAJTAZI

Muaji shtator i vitit 1971,ishte fillimi i karrierës së Nexhmedin Bunjakut si fudbollist; asokohe si pionier në klubin e futbollit Cerrvena Zvezda te Gjilanit. Më pas kaloi të gjitha grupmoshat dhe në vitin 1975 u be pjese e skuadrës së parë.

Më vonë, pas ndryshimit të politikës së gardave komuniste brenda klubit, u largua nga C. Zvezda, për t’u bërë pjesë e Dritës së Gjilanit, ku pjesën dërmuese të futbollistëve e përbënin shqiptarët. Drita ishte therrë në sy për pushtetarët e përzier të asaj kohe. Shumë vite përmes presionit të vazhdueshëm ndaj të gjithëve, duke provuar të ndërrojnë strukturën dhe sjelljen e "lojtarëve"serbë, mohuar kushtet elementare, duke u munduar ta shuajnë tërësisht Dritën, kur gjatë shumë viteve këtë nuk e arritën, e bënë në vitin 1989 me uzurpimin e stadiumit dhe me largimin e futbollistëvë shqiptarë. Si i kujton këto ditë të stuhishme, njëri ndër protagonistët dhe deshmitarët e asaj periudhë të rëndë, Nexhemedin Bunjaku?

MUNGONTE GUXIMI - “Drita vazhdoi të ekzistonte fal fudbollistëve pa kryesi, sepse askush nuk kishte guximin të drejtonte këtë skuadër (sipas tyre ishte rrezik që të burgosen), kështu që unë u emërova trajner së bashku me Haki Azemin. Ne zatën ishim futbollistët më të vjetër të skuadrës”, shpalos kujtimet Nexhmedin Bunjaku, i cili në vitin 1990 kishte dhënë provimin për gjyqtar të futbollit dhe me këtë zeje u mor deri në vitin 1998 (deri në fillimin e luftës), duke kompletuar një karrierë të shkëlqyer si gjyqtar i futbollit në kushte jashtëzakonisht të vështira, pse jo edhe të jashtëzakonshme, duke bërë një histori të veçantë në analet e futbollit botëror në kushte lufte...

“Periudha 1990 – 1998, ishin vitet më të vështira të karrierës sime sportive, por njëkohësisht edhe kohë e krenarisë. Ishte shumë vështirë, sepse vepronim nën një pushtim të hekurt serb.. Ndërkohë, ishte krenari sepse vepronim me shpresën se një ditë futbolli në Kosovë do të luhej lirshëm. Kjo sot është një realitet, fal të gjithë atyre që derdhën gjakun dhe djersën për lirinë dhe pavarësinë që sot po e gëzojmë”, flet me bindje të palëkundur Bunjaku, që i takon brezit të flijimit, e që sot krenohet dhe mburret me gjithë atë që kanë bërë së bashku me shumë sportistë të Kosovës...

SHTATË HERË I ARRESTUAR - “ Të veprosh në kushte të pushtimit të hekurt, nuk ishte e lehtë. Ishim të ndërgjegjshëm se kërkohej flijim, disiplinë, djersë... Qëndresa ndaj pushtuesit që donte ta shuante jo vetëm sportin, por çdo gjë që ishte shqiptare, na motivonte edhe më tepër që të mos kursejmë asgjë

nga vetja për të mbajtur gjallë sportin në përgjithësi dhe ligën unike të Republikës së Kosovës në fudboll në veçanti”, është bindës Bunajku i cili, edhe pse ishte shtatë herë i arrestuar nga policia serbe nëpër terrene të ndryshme ku zhvilloheshin ndeshjet e futbollit, nuk e ndali dot veprimtarinë... Bunjaku e kujton edhe sot një rast në ndeshjen Ferronikeli – Prishtina, që u zhvillua në Drenas, kur në minutën 61 policia serbe pati hyre në fushë, por nuk e ndërpreu ndeshjen.

“Nuk e ndërpreva deri sa ata vetë morën bilbilin dhe vërshëllyen. Më pas më arrestuan. Më dërguan në stacionin policor. Mbi katër orë më morën në pyetje. Më pas më liruan me kusht që të nesërmen sërish të paraqitem në stacionin policor në Drenas. Mirëpo, unë nuk iu përgjigja ftesës (të hënën)”, kujton ato çaste të rënda Nexhemedin Bunjaku...

Përkundër kërkesës së policisë që Bunjaku të hënën të paraqitet në stacionin policor, ai, jo vetëm që nuk e bëri këtë, por të mërkurën drejtoi ndeshjen tjetër, Drenica – Flamurtari, madje pa gjyqtarët anësorë, ngase sipas tij ata nuk patën guxim të paraqiteshin në ndeshje.

“Kolegët më thonin që të mos shkoja se ishte shumë rrezik, ndërsa unë u thosha: ’Jam në vendim tim dhe do shkoj... Ata janë ardhacakë dhe ata duhet të kenë frikë’”...

HISTORIA KA DËSHMI - Nexhmedin Bunjaku, nuk ishte i vetmi gjyqtar që ishte arrestuar shumë herë. Madje edhe i maltretuar dhe i rrezikuar...

“Ishin dhe shumë të tjerë që i prinin karvanit të lirisë dhe të pavarësisë edhe të sportit të Kosovës, që kulmoi me luftën e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, fal së cilës u dëbua nga trojet tona pushtuesi serb”, thotë Bunaku për të cilin një gjë është brengosëse...

“Sot po ka përpjekje që të shtrembërohet një histori që bëmë ne veprimtarët e asaj kohe së bashku me popullin... Një histori që askush nuk ka të drejtë ta shtrembërojë, aq më tepër individët që më së paku, apo fare nuk kanë dhënë ndihmesën e tyre në atë periudhë të egër. U bëj thirrje që të mos provojnë të shtrembërojnë këtë histori të ndërtuar me flijim e djersë për teka të dikujt, sepse për të gjitha ekzistojnë të dhënat e sakta dhe dëshmitë që flasin më mirë se këta zotërinj që po duan ta shtrembërojnë këtë realitet...

(Shkrimi është botuar në revistën “IP Magazinë”)

 

sportks

Kthehu mbrapa

Shto koment