E pabesueshme: Prishtina arkëton 170 mijë euro nga shitja e Gavazajt!

03.04.2014 (komentet: 0)

Ish-mesfushori prizrenas i Bardhekaltërve mbush arkën e klubit, aq sa këtë nuk e ka bërë askush në histori të skuadrës.

Enis Gavazaj ka kaluar nga Prishtina te skuadra belge KAA Gent muaj më parë. Është interesante sa e njohin futbollin drejtuesit e klubit dhe shtabi teknik i këtij ekipi, sa që futbollistin që nuk i jepnin hapësirë në ekipin e parë, është shumë i vlefshëm për kombëtaren U-21 të Shqipërisë dhe për skuadrën e elitës së futbollit belg, Gent!?

Gavazaj te skuadra belge, shkoi në formë huazimi deri në fund të kampionatit me mundësi të transferimit të plotë dhe nënshkrimit të kontratës.

Burime të “Sporti1” brenda Prishtinës dëshmojnë se vetëm për huazimin e Gavazajt, klubi i Prishtinës ka inkasuar 45 mijë euro, duke treguar dëftesën e realizuar nëpërmjet sistemit të transferimeve ndërkombëtare, TMS (Transfer Matching System).

“Ja ku është dëshmia, kemi inkasuar 45 mijë euro dhe shihet se në rast të mbetjes së Gavazajt, klubi përfiton edhe 125 mjë euro”, tha burimi i Sporti 1.

Por, në rast se klubi belg vendos të ndal Gavazajn, çfarë edhe janë synimet aktuale, sepse futbollisti është duke luajtur me ekipin e parë herë si titullar e zëvendësues, atëherë klubit të Prishtinës do t’i paguhen edhe 125 mijë euro, që e qon në total peshën e transferimit të Gavazajt për 170 mijë euro.

Vite më parë kur u largua Skeraj nga Prishtina drejt Greuther Fuerthit, Prishtina besohet se inkasoi 45 mijë euro. Ndërsa, për largimin e Debatik Currit drejt Vorskla Poltavës parametrat e dëmshpërblimit ishin zero.

Këto e bëjnë Gavazajn pretendent serioz të transferimit më të madh në histori të klubit, dhe paramendojeni, ai nuk gjente hapësirë në ekipin e parë!? Ndërsa, ish-trajneri i Prishtinës, Afrim Tovërlani, e arsyetoi mos-inkuadrimin e tij duke thënë se Enisi e kishte konkurrencë Mentor Mazrekajn, i cili sipas tij ende është më i mirë.

Kthehu mbrapa

Shto koment