E pabesueshme: Policia e Kosovës siguron ndeshjen e kampionatit të Serbisë në Zveçan

24.09.2014 (komentet: 0)

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës në veri, do të mbulojnë të mërkurën ndeshjen futbollistike të vlefshme për Kupën e Republikës së Serbisë, që do të luhet në mes të të ashtuquajturit KF Trepça nga veriu i Mitrovicës, dhe KF Vojvodina nga Novi Sadi.

Kjo ndeshje do të zhvillohet nesër në ora 16:00 në stadiumin e Zherovnicës të komunës së Zveçanit, e cila ka kapacitet prej 3 mijë e 500 ulëseve.

Burime të Kosovapress-it kanë bërë të ditur se gjatë ditës së nesërme pjesëtarët e Policisë së Kosovës do të sigurojnë autobusët me lojtarë nga Novi Sadi, por edhe autobusët tjerë me tifozë nga ky qytet i Serbisë gjatë gjithë kohës, që nga hyrja në kufirin e Jarinjës, qëndrimit të tyre në veri, e deri tek kthimi i tyre prapa dhe braktisja e territorit të Republikës së Kosovës.

Sipas këtyre burimeve, pjesë e sigurisë gjatë kësaj ngjarje do të jenë edhe pjesëtarët e të ashtuquajturës ‘Civilna Zastita’.

Ndërkaq, shefi i operativës në Policinë e Kosovës për rajonin e veriut, Zhelko Bojiq, ka konfirmuar për Kosovapress se Policia e Kosovës ka marrë dy kërkesa nga KF Trepça për mbulimin e kësaj ngjarje sportive, dhe se ata do të kujdesen për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

“Pjesëtarët e policisë nuk do të jenë prezentë në stadium, por meqë jemi paralajmëruar se do të arrinë së paku dy autobusë me tifozë nga qyteti i Novi Sadit, policia do të angazhohet që në rast nevoje të kontribuojë në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike”, ka thënë mes tjerash Bojiq.

Në anën tjetër, i kontaktuar nga Kosovapress, zëdhënësi i Policisë së Kosovës Brahim Sadriu, ka thënë se nuk është në dijeni për një event të tillë që do të mbahet të mërkurën.

Ai nuk ka dashur të komentojë nëse Policia e Kosovës duhet të sigurojë një ndeshje të kampionatit të Serbisë, e cila do të zhvillohet në territorin e Kosovës.

Ai ka kërkuar të kontaktohet sërish pas një ore, ndërsa më vonë nuk e ka hapur telefonin.

 

 

Ndryshe, mësohet po ashtu se kryetari ilegal i komunës në veri të Mitrovicës, Aleksandar Spiriq, i ka dërguar letër homologut të tij nga Novi Sadi për ta vizituar të mërkurën Mitrovicën dhe të marrë pjesë në këtë manifestim sportiv, por që është refuzuar për shkaqe të sigurisë. /Kosovapress/Telegrafi/ 

 

Kthehu mbrapa

Shto koment