E mirëpres Adnan Januzajn

15.05.2014 (komentet: 0)

Kapiteni i Belgjikës, Vincent Kompany, është gati të mirëpresë talentin e ri të Manchester United, Adnan Januzaj, në ekipin e Botërorit të Brazilit.

 19 vjeçari është grumbulluar nga trajneri belg Marc Wilmots, në listën paraprake për kampionatin botëror, pasi deklaroi angazhimin e tij ndaj vendit të lindjes, duke disfavorizuar kështu kombëtaren kuqezi, të origjinës së prindërve të tij.
 
Talenti i Manchester United ka pasur mundësi të përfaqësojë disa vende, por ka pasur sugjerime se mund të thirrej edhe nga Anglia, nëse do të merrte shtetësinë angleze, përpara se ai vet të bënte të ditur se do të luante për Belgjikën.
 
Sulmuesi Kevin Mirallas ka thënë se fundi se ishte i lumtur që talenti i ri ka zgjedhur Belgjikën, por tha se do të ishte e padrejtë nëse ai do të grumbullohej në Botëror, për shkak se nuk ka kontribuar aspak gjatë kualifikueseve për në Brazil.
 
Megjithatë, Kompany, i pyetur në lidhje me këtë çështje gjatë një konference për shtyp me ekipin e tij aktual, Manchester City, në Abu Dhabi, tha se "të gjithë jemi, mbi të gjitha, të lumtur që jemi të grumbulluar".
 
"Edhe pse i takon trajnerit, pasi është detyra e tij vendimmarrja se cilin do të grumbullojë, besoj se të gjithë ne jemi të lumtur që do të shkojmë në Brazil dhe do t’ia lëmë trajnerit, sepse i besojmë atij në vendimet që merr. Kemi lojtarë të mëdhenj në kombëtare, kështu që shpresojmë të bëjmë ndeshje të mira edhe në Kupën e Botës. Gjithsesi, mund të them se jemi të gëzuar dhe mirëpresim lojtarët e rinj, gjithmonë", është shprehur kapiteni i Manchester City-t dhe Belgjikës.

Kthehu mbrapa

Shto koment