Dokuzovski ka sjellë frymë të re te Sigal Prishtina

28.02.2014 (komentet: 0)

Punë, disiplinë e trofe. Këto e karakterizojnë trajnerin maqedonas, Marin Dokuzovski, i cili zëvendësoi Ceyhun Cabadak, në stolin e Sigal Prishtinës. Ndihmës-trajneri Fikret Shatri, thotë se po mëson shumë nga maqedonasi dhe vetë karriera e tij flet shumë. Ai thekson se tani po ‘jeton’ me basketboll. Edhe basketbollisti Alban Veseli shprehet se stërvitjet po shkojnë më mirë edhe pse është herët të flitet tani.

Sigal Prishtina më herët kishte trajnerin e trofeve, Arben Krasniqin, derisa tani e ka trajnerin e trofeve dhe sukseseve, Marin Dokuzovski. Ai zëvendësoi të larguarin Ceyhun Cabadak. Dokuzovski ka shtatë tituj në Maqedoni e tri Kupa, si dhe tre tituj e tri Kupa në Bullgari.

Marin Dokuzovski ka shkruar edhe historinë për basketbollin maqedonas, duke e dërguar në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian më 2011 në Lituani. Të gjitha këto suksese maqedonasi i ka arritur, duke aplikuar mbrojtje të fortë që është shumë më e rëndësishme për të sesa sulmi. E përvoja e tij ka filluar të reflektojë në Prishtinë edhe pse të dielën ka filluar punën me stërvitje.

“Unë e dua shumë mbrojtjen, pasi më ka sjellë suksese në karrierë dhe do të fokusohem më shumë në mbrojtje. Mbrojtje mund të luash në çdo ndeshje nëse do, kurse sulmi nganjëherë nuk shkon”, kishte thënë Dokuzovski një ditë më herët, i cili ka kërkuar titullin me Sigal Prishtinën dhe ‘Final-Four’ në Ligën Ballkanike.

Trajner me përvojë të madhe

Ndihmëstrajneri i Prishtinës, Fikret Shatri, ka thënë se maqedonasi është trajner i punës, disiplinës dhe rezultateve. “Kemi të bëjmë me një trajner shumë të mirë. E di çka dëshiron të bën. (Ceyhun) Cabadak nuk e kishte përvojën e maqedonasit. Përvoja fitohet me vite. Dokuzovski është trajner i punës, disiplinës dhe rezultateve”, ka thënë Shati për ‘Sport Plus’.

Ai thotë se ka çka mëson çdo ditë prej tij. “Kam çka mësoj nga ai. Çdo ditë shoh diçka të re nga ai. Ai vetëm me punë ka arritur të dërgoj Maqedoninë në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian në Lituani. Ku ka shkuar ka lënë gjurmë. E theksoj edhe njëherë se ai e di çka dëshiron. Sulmi e fiton një ndeshje, kurse mbrojtja e fiton titullin. Ai ka një qasje të veçantë për mbrojtjen. Me trajnerin e tij rriten edhe ambiciet. Në Ligën Ballkanike ka ekipe të mira me trajner të mëdhenj dhe buxhet të madh. Nuk do të jetë lehtë, por me një trajner si Dokuzovski, asgjë nuk është e pamundur”, theksoi Shatri.

Edhe stërvitjet po shkojnë më mirë

Ndërkohë, basketbollisti, Alban Veseli, thotë se stërvitjet tani janë duke shkuar shumë më mirë tani. “Stërvitjet po shkojnë shumë më mirë edhe pse është herët të flitet. Do të shohim në ndeshje se çfarë ndryshime do të ketë. Ai më shumë rëndësi i kushton mbrojtjes. Karriera e tij flet vetë. Është trajner i njohur dhe me suksese”, është shprehur Veseli për gazetën tonë. Ai kishte probleme me turkun Ceyhun Cabadak dhe kishte munguar për një javë në stërvitje. Për Cabadakun, Sigal Prishtina ishte skuadra e parë në karrierën e tij si trajner.

Prishtina ndodhet në vendin e parë në ETC Superligën e Kosovës në basketboll, derisa e dyta në Ligën Ballkanike. /KOKAJ/


Përgaditi : E.Smerqaku  

Kthehu mbrapa

Shto koment