DE BIASI: PRISJA NJË STADIUM PLOT ME GJEORGJINË

17.11.2015 (komentet: 0)

Trajneri Giani De Biasi, duke folur pas ndeshjes miqësore me Gjeorgjinë, nuk është shfaqur i qetë.

Kuptohet, paraqitja e të tijve në pjesën më të madhe të lojës, përjashto 10 minutat e fundit, ka qenë zhgënjyese. Premtimi në Prishtinë se “Shqipërinë e vërtetë do ta shihni ndaj Gjeorgjisë”, duket se ka mbetur përgjysmë, ngaqë kuqezinjtë janë shfaqur pa grintë, pa nerv, pa organizim dhe ç’është më e keqja, pa dëshirë për fitore. Megjithatë, barazimi “in extremis” e ka ngushëlluar disi trajnerin e kombëtares, i cili sheh se ka shumë për të përmirësuar rrugës, deri në fazën finale të “Euro 2016”, ku Shqipëria është kualifikuar për herë të parë në historinë e vet.

“Kemi humbur dy ndeshje me Gjeorgjinë, me rezultatin 2-1. Më vjen keq që pjesën më të madhe të takimit nuk kemi luajtur siç duhet, kjo ndodhi vetëm 10 minuta në fund, kur edhe barazuam. Për këtë më vjen shumë keq” – tha De Biasi, i cili më tej u pyet nëse ia vlejti kjo miqësore dhe në cilin drejtim, të aktivizimit të lojtarëve të rinj, apo të aplikimit të modueleve të ndryshme të lojës. 59-vjeçari nga Sarmede e Italisë u përgjigj: “Qëllimi ishte që në këtë miqësore të provoja lojtarët dhe të shihja mundësinë e kombinimit të tyre në të gjitha repartet. Natyrisht, prisja të shikoja maksimumin e të gjithëve. Kjo nuk ndodhi. Provova disa skema, por lojtarët tanë duhet të japin maksimumin në fushë, ndryshe asgjë nuk funksionin. Ne nuk mund të mbajmë ritmin të ulët, sepse nuk fitohet në këtë mënyrë.”

De Biasi u ngacmua pak edhe për publikun, që ishte i paktë në numër dhe, madje, reagoi e braktisi stadiumin. Për trajnerin kuqezi, pas kualifikimit në finalet e “Euro 2016”, ndeshja e parë në shtëpi, sikurse ishte ajo ndaj Gjeorgjisë, duhet të përcillej në mënyrë festive dhe nga shumë mbështetës: “Nuk e di. Duke parë reagimet e publikut nuk jam shumë i kënaqur. Prisja që pas atij kualifikimi, që ka bërë Shqipëria, stadiumi të ishte plot. Pashë që edhe e kontestuan ndeshjen në disa momente. Gjithsesi, çdo njeri është i lirë të bëjë çfarë të dojë”.

Në miqësoren e mbrëmshme, De Biasi eksperimentoi në qendër të mbrojtjes, duke aktivizuar Veselin përkrah Ajetit. I pari vuajti shumë në këtë rol, ndërsa u shfaq shumë herë më lart si mbrojtës i djathtë, ndërsa Ajeti ka problem mungesën e një skuadre. Duke parë se edhe Cana nuk është në optimumin e vet, ndërsa Mavraj vjen nga një dëmtim i gjatë, De Biasi shprehet kështu për këto detaje: “Është lajm i mirë për Mavrajn, që ka rifilluar stërvitjen. Është një djalë i jashtëzakonshëm, i lidhur shumë me ngjyrat kuqezi, dhe më vjen mirë që po bën hapa përpara.

Megjithatë, unë nuk do të merrem me ata që munguan, por me ata që hodha në fushë dhe nuk dhanë atë që prisja. Ne nuk mund të luajmë pa vendosmërinë tonë, sepse në të kundërt bëjmë figurë të keqe. Veseli dhe Manaj, që ishin për herë të parë në kombëtare, u prezantuan mirë. Manaj ka bërë një paraqitje pozitive. Shënoi gol që në ndeshjen e parë. Veseli është ai që më ka pëlqyer më shumë në ndeshjen me Gjeorgjinë”.

Në fund, dy fjali edhe për Sokol Cikalleshin, i cili u zhbllokua më në fund, pas 15 ndeshjesh në kombëtare. “Pas 800 shtyllave, ai arriti të bëjë një gol. Është lajm i mirë për të, sepse nuk po kalon një moment të mirë në skuadrën e tij. Duhet të vazhdojë të gjejë forcën dhe ekuilibrin, në mënyrë që të mposhtë ankthin dhe të shënojë rregullisht,” – shton De Biasi, që ngacmimit për qëndrimin e Bogdanit, ndihmësit të tij, në tribunën VIP, gjatë miqësores së të hënës në “Qemal Stafa”, i përgjigjet me një batutë: “Në stol nuk ka vend për të gjithë”.

Kthehu mbrapa

Shto koment