City e nis me 4 copa

19.08.2013 (komentet: 0)

Me rezultat 4-0, Manchester City e ka mposhtur Newcastle Unitedin në ndeshjen e javës së parë të Ligës Premier që u zhvillua të hënën mbrëma në Etihad Stadium.

Për fillimin e mbarë të ndeshjes u përkujdes David Silva, i cili shënoi me asistimin e Edin Dzekos (6’).

Vendasit e dyfishuan rezultatin përmes Sergio Agueros (22’), i cili shënoi falë asistimit përsëri nga sulmuesi boshnjak.

Në minutat shtesë të pjesës së parë vendasit kërkuan penalti për prekje të topit me dorë në zonë, por arbitri mendoi ndryshe. Ndërkaq, pa u mbyllur kjo pjesë lojtari mysafir Steven Taylor u përjashtua me karton të kuq (45’+3).

Fraksioni i dytë ishte akoma më i lehtë për Cityn. Nuk kaluan as pesë minuta dhe Yaya Toure shënoi nga gjuajtja e lirë (50’).

Vetëm disa minuta pasi hyri në lojë, Samir Nasri u regjistrua në listën e golashënuesve (75’). Pablo Zabaleta e Dzeko ndihmuan në realizimin e këtij goli.

Në vazhdim, City shënoi edhe golin e pestë, por u anulua për pozitë jashtë lojë. Megjithatë, xhirimet treguan se Negredo ishte në pozitë të rregullt.

Pas javës së parë, Manchester City merr kreun e tabelës me golaverazh më të mirë se kampioni në fuqi, Manchester United.

Kthehu mbrapa

Shto koment