Chelsea shkruan historinë

15.05.2013 (komentet: 0)

Pas triumfit të vitit të kaluar në Ligën e Kampionëve, këtë sezon Chelsea e ka rrëmbyer edhe trofeun tjetër evropian, atë të Europa League.

Skuadra angleze e ka mposhtur Benfican me rezultat 2-1 në finalen e zhvilluar në Amsterdam ArenA.

Blutë ishin me fat që nuk pranuan gol në fraksionin e parë të lojës. Ata ishin nën presion të vazhdueshëm, përkundër një rasti të Frank Lampard për të shënuar.

Portugezët ishin skuadra më e mirë. Trajneri Jorge Jesus padyshim se ishte i kënaqur me paraqitjen e tyre, por jo edhe me përfundimin e aksioneve.

Sipas një statistike, lojtari i Chelseat që më së shumti e preku topin në pjesën e parë, ishte portieri Petr Cech.

Benfica e filloi gjysmën e dytë me intensitet më të madh duke kërkuar avantazhin, mirëpo ndodhi e kundërta.

Fernando Torres pranoi një top nga Juan Mata, shmangu Luisaon dhe pastaj ndëshkoi portierin Artur (60’).

Gëzimi i tifozëve të Chelseat nuk zgjati shumë, pasi u akordua penalti për shkak të prekjes së topit me dorë në zonë. Oscar Cardozo ishte i saktë nga pika e bardhë (68’).

Në minutat në vazhdim, të dyja skuadrat patën rastet e tyre, por Blutë u treguan më efikas. Një krosim të Juan Matas e shndërroi në gol mbrojtësi Branislav Ivanovic në minutat shtesë (90’+3).

Kthehu mbrapa

Shto koment