Chelsea në rrugë për t’u bërë kampion

08.03.2014 (komentet: 0)

Chelsea ka shënuar katër herë në portën e Tottenhamit në ndeshjen e javës së 29-të në Ligën Premier që u zhvillua të shtunën në Stamford Bridge.

 

Gjysma e parë u zhvillua në mesin e fushës. Blutë nuk mund të organizoheshin në sulm, pasi u përballën me një mesfushë agresive të Spursave.

Mirëpo, në gjysmën e dytë, vendasit e zhbllokuan rezultatin. Pas një gabimi të Vertonghen, Samuel Eto’o e mposhti Llorisin (56’).

Pak minuta më pas, Younes Kaboul ndërhyri në Eto’o duke shkaktuar penalti dhe duke u përjashtuar me karton të kuq.

Mesfushori belg, Eden Hazard, u tregua i saktë nga njëmbëdhjetëmetërshi (60’).

Skuadra nikoqire luante me siguri të plotë në pjesën e mbetur të takimit dhe njëherësh kërkonte të shënojë më shumë gola.

Demba Ba (që zuri vendin e Eto’o, 76’) shënoi dy gola të shpejtë në mbyllje të sfidës (88’ dhe 90’).

Chelsea është në krye të Ligës Premier me shtatë pikë më shumë se Liverpooli dhe Arsenali që kanë nga një ndeshje më pak të zhvilluar

/E.Smerqaku

Kthehu mbrapa

Shto koment