Chelsea gjen fatin e triumfit në Munich

21.05.2012 (komentet: 0)

Didier Drogba i ka siguruar finalen, barazimin dhe vet kupën e Ligës së Kampionëve, Chelseat të Londrës. Të kaltrit të shtunën në mbrëmje në “Allianz Arena” mposhti Bayernin e Munichut pas ekzekutimit të penalltive.

Lojë në kohën e rregullt dhe në vazhdime kishte përfunduar pa fitues (1:1). Thomas Mueller me golin e tij të shënuar në minutën 83 kishte afruar në vetëm 7 minuta larg titullit evropian, Bayernin, por barazimin për londinezët e arriti, Drogba i cili në një shënim me kokë në minutën 87 i ka dhënë shpresë ekipit të tij për titull kampioni.

Se mbrëmja dhe fati nuk ishte në anën e bavarezët, dëshmoi edhe rasti i lojës së vazhdimeve, kur Arjen Robben nuk ka arritur të shënojë gol nga penalltia në minutën 94, pasi që më herët Drogba kishte ndalur në mënyrë të palejueshme brenda zonës francezin, Frank Ribery.

Gjuajtjen e Robben nga pika e bardhë e ka ndalur me sukses, portieri çek i ekipit anglez, Petr Cech i cili të dielën (sot) do të ketë shumë arsye të festojë ditëlindjen e 30-të me titullin e kampionit të Evropës.

Veç Robbenit, nga pika e bardhë ndër gjermanët huqën penalltitë edhe kroati, Ivica Oliç dhe Bastian Schëeinsteiger. Futbollisti nga Bregu i Fildishtë, kishte qenë vendimtar edhe në përballjen e gjysmëfinales, kur Chelsea eliminoi kampionin aktual, Barcelonën.

Stinori 2011/12 mbetet i humbjeve për Bayern, i cili më herët kishte humbur titullin e kampionit dhe Kupën e Gjermanisë, nga nga Borussia Dortmund. Finalja ishte caktuar para dy viteve të luhet në Munich, në stadiumin e Bayernit, ndërsa përkundër “ëndrrës” së presidentit të saj, Ulli Hoenes, ajo nuk pati një përfundim të gëzuar për ekipin e tij.

Loja ka shënuar një mbizotërim të Bayernit, i cili ka pasur shumë raste shënimi si në pjesën e parë dhe të dytë, deri sa londinezët e kaltër kanë luajtur më të përqendruar në mbrojtje, duke kërkuar më shumë raste nga kundërsulmet.

Ekipi anglez është dalluar edhe me nivel të lartë të detyrës në repartin e mbrojtjes, i cili kishte lënë përshtypje të lartë edhe në gjysmëfinalen ndaj Barçës.

Të dy skuadrat kanë pasur mungesa të theksuara në finale, pasi që disa lojtar të tyre ishin ndëshkuar me karton në gjysmëfinale. Chelsea, i cili ka përfunduar stinorin në Premier League në vendin e katërt, ka shpëtuar stinorit pasi që triumfi i garanton pjesëmarrjen në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, pasi që renditja në kampionatin kombëtar anglez i kishte siguruar vetëm paraqitjen në Europa League.

“Ne e shijuam fatin tonë”, pranoi pas ndeshjes finale, mbrojtësi i majtë, Ashley Cole, i cili po ashtu kaloi një natë të suksesshme. Chelsea bëhet vetëm skuadra e pestë angleze, që ka fituar Ligën e Kampionëve, pas Manchester United, Liverpool, Aston Villa dhe Nottingham Forest.

Finalja ndërmjet Bayernit dhe Chelsea është konsideruar si finale e papritur dhe e skuadrave me fat, pasi që këto skuadra në gjysmëfinale kishin eliminuar ekipet e superyjeve spanjolle, Real Madrid rrespektivisht, Barcelona.

Chelsea më 2008 kishte luajtur në finalen e Ligës së Kampionëve, duke u mposhtur nga Manchester United në finalen e luajtur në Moskë (6:5 pas ekzekutimit të penallive), kurse në stinorin vijues u eliminua nga Barcelona në gjysmëfinale, ndonëse ishte diskutuar shumë për vendimet kontraverze të arbitrit norvegjez, Ovrebo.

Duket se këtë herë fati ishte kthyer 100 % në anën e londinezëve dhe Drogba, që atëbotë ishte pjesë e të dy stinorëve, ishte njeriu me fat të shtunën në mbrëmje në Munich.

Kthehu mbrapa

Shto koment