Cana në dyshime për të ardhmen.

17.03.2013 (komentet: 0)

Futbullisti Kosovar Lorik Cana pranon që ne funde te sezonit ne Seria A mundë ti pregadit valixhet per të ikur nga qyteti i Romes.

Lorik Cana po kalon një moment shumë të mirë te Lazio, teksa ka gjetur formën optimale, sidomos kur trajneri Vladimir Petkoviç e aktivizon në qendër të mbrojtjes, por megjithatë, si opsion mbetet largimi i tij këtë verë nga ekipi romak.

Këtë pozicion kapiteni i Shqipërisë e mbulon kryesisht në ekipin tonë përfaqësues, por duket se edhe te Lazio ai po identifikohet gjithnjë e më shumë si mbrojtës sesa si mesfushor, rol për të cilin ai u ble nga çelestët para një viti e gjysmë nga Gallatasaraji.

Sakaq, këtë gjë e përforcon më shumë edhe menaxheri i lojtarit, i cili në rastin konkret është i ati i tij, ish-futbollisti i Prishtinës dhe Dinamos së Zagrebit, Agim Cana.

“Nuk ka asnjë problem se ku luan në qendër të mbrojtjes, si shkatërrues në mesfushë apo në krah. Loriku, kur i jepet mundësia, pavarësisht pozicionit, jep gjithnjë maksimumin e tij. Ai ka luajtur në mbrojtje vazhdimisht në ekipin kombëtar. Ashtu si për çdo lojtar, i rëndësishëm është aktivizimi. Ai është i qetë dhe dëshiron gjithnjë që të kontribuojë që skuadra të arrijë objektivat sezonalë”, ka thënë ky i fundit në një intervistë për uebsajtin tuttomercatoveb.

Agim Cana ka folur edhe për të ardhmen e djalit të tij, duke lënë një derë të hapur largimi nga Lacio që verën e këtij viti. “Loriku ka një kontratë me Lazion deri në fund të vitit 2016. Tani është shumë shpejt për të thënë se ku do të luajë ai sezonin tjetër. Janë shumë faktorë që mund të ndryshojnë nga ky moment deri në fund të sezonit. Ndaj, të them të drejtën, ai nuk është se po mendon shumë për të ardhmen. Objektivi i tij primar është tjetër gjë. Ai kërkon që të kapë vendin e tretë me Lazion në kampionat, i cili nënkupton Ligën e kampionëve. Loriku është i përqendruar te ky objektiv”, ka përfunduar Agim Cana.

Kapiteni i Kombëtares shqiptare ka qenë gjithnjë në qendër të tregut futbollsitik, kjo edhe për faktin se në mjaft raste ai është lënë në bankinë, çka ka shtyrë më së shumti mediet që të aludojnë për një rikthim të tij te Marseille.

Gjithsesi, kalimin te skuadra franceze nuk e ka mohuar as vetë Loriku, por duhet thënë se në asnjë rast futbollisti i Lazios nuk ka dhënë afat se kur mund të ndodhë kjo.

Aktualisht ai është një nga lojtarët më të paguar në Lazio, menjëherë pas gjermanit Miroslav Klose, i cili paguhet 2.1 milionë euro dhe brazilianit Hernanes 1.8 milion euro. Cana përfiton 1.7 milionë euro neto në sezon dhe një shifër e tillë nuk është e përballueshme për çdo skuadër në Europë.

Gjithsesi, largimi apo qëndrimi i tij deri në fund të kontratës do të varet shumë nga aktivizimi gjatë pjesës së mbetur të sezonit, si dhe ofertat joshëse që lojtari mund të marrë në merkaton e verës.

Kthehu mbrapa

Shto koment