BERAT GJIMSHITI PREZANTOHET TEK ATALANTA

19.01.2016 (komentet: 0)

Ndodhi ajo që përflitej ka dy ditë. Berat Gjimshiti, mbrojtësi i kombëtares shqiptare, është tashmë zyrtarisht lojtar i Atalantës

Paradite ishte ish-klubi i tij, FC Zurich, ai që bëri të ditur ndarjen përfundimtare, ndërsa mbas dreke, futbollisti me origjinë nga Lugina e Preshevës, është prezantuar nga klubi italian i Seria A, ku ka “lidhur besën” deri në vitin 2019. Fillimisht ka kaluar me sukses testet mjekësore dhe tashmë do të vihet nën urdhërat e trajnerit tek ekipi i ri, me shpresën se do të gjejë hapësira aktivizimi.

Zikaltrit i kanë besuar fanellën me numrin 55 ndërkombëtarit shqiptar. “Atalanta njofton blerjen e të drejtave sportive të mbrojtësit zviceran, të natyralizuar shqiptar, Berat Gjimshiti. I lindur në Zurich, më 19 shkurt 1993, Gjimshiti u rrit në akademinë e të rinjve të FC Zurich, derisa në vitin 2011 bëri debutimin e tij në ekipin e parë. Në Superligën zvicerane ai ka luajtur 110 ndeshje dhe ka shënuar pesë gola. Me fanellën e FC Zurich ka grumbulluar edhe 11 ndeshje dhe 1 gol në “Europa League”.

Ai mbrojti ngjyrat e kombëtares U-21 të Zvicrës, para se t’i përgjigjej pozitivisht thirrjes së kombëtares shqiptare, në të cilën bëri debutimin e tij më 4 shtator 2015, në ndeshjen kundër Danimarkës, e vlefshme për kualifikueset e “Euro 2016”. Me kombëtaren shqiptare ka luajtur 6 ndeshje dhe ka shënuar një gol, duke kontribuar kështu në kualifikimin historik të Shqipërisë së një Kampionat Europian, që do të zhvillohet këtë verë, në Francë. Në foto është shtrëngimi i duarve midis Berat Gjimshiti dhe drejtorit të përgjithshëm të Atalantës, Luca Percassi, pas nënshkrimit të kontratës në mes dy palëve,” – thuhet një njoftimin zyrtar të klubit italian.
 

Paradite, FC Zurich njoftoi se i dha duart ish-lojtarit të vet, i cili, falë ndërmjetësimit të De Biazit, i bashkohet Seria A, ku luajnë edhe kuqezinj të tjerë, si Hysaj, Berisha, Manaj dhe Ajeti, ndërkohë që Memushaj militon në Seria B. “Ndërprerja e kontratës është bërë me marrëveshje të ndërsjelltë me 22-vjeçarin. Ne duam t’i japim Beratit mundësinë për të pasur praktikë loje, të ketë sa më shumë ndeshje në këmbë, në funksion të Kampionatit Europian, – citohet presidenti FC Zurich, Ancillo Canepa, në një deklaratë.

Kthehu mbrapa

Shto koment