Bayerni ia bën bajat futbollin Baselit

14.03.2012 (komentet: 0)

Bayern Munchen i ka dhënë një leksion nga loja e futbollit Baselit, pas të cilit ekipi gjerman e ka siguruar kalimin në mesin e tetë ekipeve më të mira të Ligës së Kampionëve.

Bavarezët i kanë shkaktuar një humbje kampionit zviceran, të cilën ai nuk do ta harroj kurrë, me rezultat 7:1, në ndeshjen e dytë të 1/8-ës së finales së Ligës së kampionëve.

Baselit nuk i kanë ndihmuar as dyshja shqiptare Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka, të cilët së bashku me bashkëlojtarët e tyre gjatë do ta mbajnë në mendje natën e së martës mbrëma në “Alianz Arena”.

Baseli është thyer vetëm pas 11-të minutave lojë, kur Bayerni hapi serinë e golave, për t’ia mbushur më pas rrjetën edhe me gjashtë të tjerë. Sulmuesi i Bayernit, Mario Gomez qysh në minutën e 67-të i kishte katër gola në konton e tij.

Kjo do të thotë se ai kishte kohë edhe 23-të minuta që të shkelë rekordin e Lionel Messi të Barcelonës, prej pesë golave të shënuar, të cilin argjentinasi e arriti javën e shkuar kundër Bayer Leverkusenit.

Baseli kishte ardhur i trimëruar në Munchen, pas fitores minimale (1:0) para dy javësh në shtëpi dhe me shpresë se çudia do të ndodhë. Mirëpo ishin të kota pritjet e Baselit, pasi që morrën jo një, por shtatë gola.

Golat e tjerë për bavarezët i shënuan Arjen Robben, i cili e hapi dhe e mbylli serinë e golave, derisa autor i golit të shtatë ishte Thomas Müller. Kjo ishte fitorja më e lartë e Bayernit në Ligën e kampionëve, pas asaj që e kishte arritur në vitin 2009 ndaj Sportingut të Lisabonës me rezultat 7:1.

Shaqiri dhe Xhaka luajtën që nga fillimi i ndeshjes, ndërkohë që ky i pari u zëvendësua në minutën e 80-të.

Interi është mënjanuar nga e mëtutjeshme pas një drame të madhe në Milano. Interi e mposhti Marseille me rezultat 2:1, por francezët falë golit të shënuar si mysafirë dhe fitores minimale si vendas u kualifikuan në çerekfinale.

Diego Milito e kaloi Interin në epërsi në minutën e 71-të duke i hapur rrugën ekipit të tij rrugën drejtë tetë më të mirëve. Mirëpo në çastet e fundit të ndeshjes u shënuan edhe dy gola të tjerë, të cilët shkuan në favor të Marseille.

Së pari barazuan francezët nëpërmjet Brandaos në minutën e parë të kohës shtesë, e më pas Pazzini nga penalltia i dha fitoren e kot Interit me golin e shënua nga pika e bardhë në minutën e pestë të kohës shtesë.

Bayern Munchen dhe Marseille kështu iu janë bashkangjitur Milanit, Barcelonës, Benficas dhe APOEL-it në çerekfinale.

Kthehu mbrapa

Shto koment