Bayerni fiton kupen e botes për klube

21.12.2013 (komentet: 0)

Bayern Munichu është shpallur kampion bote në kategorinë e klubeve pas fitores prej 2-0 kundër ekipit nga vendi nikoqir, Raja Casablanca.

Në finalen e zhvilluar në Stade de Marrakech në Marok, kampioni i Evropës e përfundoi takimin që në pjesën e parë duke realizuar dy herë.

Pas një harkimi nga këndi të Xherdan Shaqirit, Boateng e dërgoi topin drejt Dantes, i cili e hapi takimin (7’).

David Alaba, i cili ishte mjaft i angazhuar në minutat e para të ndeshjes, ia ktheu për mrekulli një top Thiago Alcantaras dhe mesfushori spanjoll me mjeshtri e dyfishoi rezultatin (22’).

Kampioni i Marokut do të kënaqet me medaljen e argjendtë në këtë turne, pasi befasisht arriti edhe në finale duke mposhtur fituesin e Copa Libertadores, Atletico Mineiro (3-1).

Skuadra e Ronaldinhos arriti të zë vetëm vendin e tretë pas fitores prej 3-2 kundër klubit kinez, Guangzhou Evergrande, që drejtohet nga i famshmi Marcello Lippi.

Në atë takim, ish-futbollisti i Barcelonës shënoi një supergol nga goditja e lirë, por më vonë u përjashtua me karton të kuq.

Bayern Munichu e ka fituar dy herë Kupën Interkontinentale (1976, 2001) dhe tash e fiton edhe në formatin pasardhës të quajtur Kupa e Botës për Klube.

Për strategun spanjoll, Pep Guardiola, kjo është hera e tretë që e fiton këtë trofe, pasi e ka fituar dy herë me Barcelonën (2009, 2011).

Dhe qershia mbi tortë është prania e një shqiptari në një eveniment të tillë sportiv. Është ky Xherdan Shaqiri që na bën të krenohemi me pjesëmarrjen e tij në nivelet më të larta të futbollit botëror.

Kthehu mbrapa

Shto koment