Bayern në gjysmëfinale, Juventus në shpi.

10.04.2013 (komentet: 0)

Kanë kaluar edhe 90 minutat e ndeshjes kthyese çerekfinale të Ligës së Kampionëve, mes Juventusit dhe Bayern Munichut, për ta konfirmuar kualifikimin e skuadrës bavareze në gjysmëfinale.

Ekipi gjerman e fitoi edhe sfidën në Allianz Arena (2-0) edhe atë në Juventus Stadium (0-2), për t’u kualifikuar me rezultat të përgjithshëm prej 4-0.

Një tjetër Juventus u shfaq para tifozëve të vet duke kontrolluar lojën në pjesën e parë dhe duke vënë nën presion mysafirët. Ndërkohë që bavarezët mbronin rezultatin nga sfida e parë duke pritur shansin për të ndëshkuar.

Rastin më të mirë për Bianconerët në 45 minutat e para e pati Andrea Pirlo, i cili lansoi një goditje të mirë nga gjuajtja e lirë, por edhe më mirë reagoi portieri Neuer për ta ndalur atë. Po ashtu, edhe Pogba e Quagliarella kanë mundur të bëjnë më mirë në rastet e tyre.

Nga ana tjetër, Mandzukic ka mundur shumë herët të shuajë shpresat e vendasve, por topi përfundoi jashtë porte. Buffon u tregua i vëmendshëm ndaj një tjetër predhe të Alabas, ai po ashtu ndali edhe një goditje të Ribery.

Bardhezinjtë e filluan mirë edhe fraksionin e dytë me një rast të Pirlos nga gjuajtja e lirë, mirëpo me kalimin e minutave bavarezët filluan të bëheshin gjithnjë e më të rrezikshëm.

Arjen Robben e goditi shtyllën, ndërsa më vonë erdhi edhe goli i shokut për vendasit. Pas një gjuajtjeje të lirë, Mario Mandzukic reagoi më së miri për të shënuar golin që shuante çdo shpresë për Zonjën e Vjetër (64’).

Dhe derisa po afrohej fundi i takimit, futbollisti që zëvendësoi Mandzukicin, Claudio Pizarro, e përshëndeti sërish Buffonin (90’+2).

Bayern Munichu në gjysmëfinale i bashkohet skuadrës tjetër gjermane, Borussia Dortmund, ndërkohë që atje janë edhe dy gjigantët spanjollë, Real Madrid dhe Barcelona.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment