Atletët nderojnë pranverën studentore '81

09.03.2014 (komentet: 0)

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, mbështetur nga Federata e Atletikës së Kosovës dhe Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Gjilan sot është mbajtur gara ndërkombëtare e atletikës në vrapim për meshkuj dhe femra “Gjilani 2014”.

 

Gara është organizuar në këto kategori; për senior/e – 11300 metra, junior/e – 4300 metra, pionier/e – 2000 metra, veteranë/e – 4300 metra, me pjesëmarrës nga Komuna të ndryshme të Kosovës, nga Shqipëria dhe nga Mali i Zi.

Me këtë rast para fillimit të garës të pranishmit në emër të kryetarit të Komunës i ka përshëndetur U.D. i drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Bujar Haziri, i cili ka thënë se kjo garë tashmë tradicionale është e rëndësishme për vet faktin e saj që ka karakter sportiv dhe garues, por edhe për shkak të pranverës studentore të vitit 1981, kur rinia ishte ajo që mori iniciativën që më vonë u bë simbol i lirisë së vendit.

 

Ndërsa garën e ka shpallur të hapur kryetari i Federatës së Atletikës së Kosovës Halil Sylejmani, i cili në fjalën e tij të rastit ka thënë se me këtë garë sportive në atletikë përkujtohet pranvera studentore e ’81-shit. Ai tha poashtu se gjatë të ardhmes duhet të nxiten edhe nxënësit e shkollave fillore dhe atyre të mesme që të jenë pjesë e këtyre organizimeve, sepse Gjilani dhe Kosova ka atlet nga të gjitha nivelet.

 

Garën me vendin e parë në pioniere e ka zënë Laura Hyseni, ndërsa në konkurrencën e meshkujve vendin e parë në këtë kategori e ka zënë Besnik Dubovci që vjen nga klubi atletik “Trepça 89”.

 

Në kategorinë e veteraneve ishte vetëm një garuese Valdete Ahmeti, që vinte nga klubi atletik i Mitrovicës, ndërsa

Në konkurrencën e juniorëve vajza që ka zënë vendin e parë ishte Donika Bujupaj, që vinte nga Klubi Atletik “Olimpi” – Istog, ndërsa në konkurrencën e meshkujve vendin e parë e ka zënë Granit Kryeziu që vinte nga Klubi Atletik “Rogana” – Roganë.

 

Në konkurrencën e seniorëve, vajza që zuri vendin e parë ishte Luljeta Shala, vinte nga Klubi Atletik “Llapi” – Podujevë, ndërsa në konkurrencën e meshkujve në këtë kategori që vendin e parë e ka zënë Suad Kryeziu që vinte nga Klubi Atletik “Rogana” – Roganë.

 

Ndërsa, me mirënjohje janë nderuar: Federata e Atletikës nga Shqipëria, Klubi i Vrapimit “Hapi i Parë” nga Mali i Zi, ansambli i këngëve dhe valleve “Agim Ramadani”, Qendra Kryesore e Mjekësisë Famijare, Policia e Kosovës dhe ish-eprori i FSK-së, Shemsi Syla. /2LONLINE/

/E.Smerqaku/

Kthehu mbrapa

Shto koment