Admir Mehmedi: "Gjithmonë krenohem se jam shqiptarë"

24.03.2012 (komentet: 0)

Intervistë ekskluzive me Admir Mehmedin, futbollistin e kombëtares zvicerane, sulmuesin e "Dinamo Kiev"

"Të gjitha ndeshjet e kanë nga një histori në vete. Një ndeshje me Young Boys, kur dhashë golin fitues, ishte ndeshja në Cyrih, pra në vitin 2010. Në këtë ndeshje, u definova si lojtar i kombëtares zvicrane dhe ishte trajneri Hitzfeld aty dhe e pa se e meritoj të jem pjesë e kombëtares zvicrane". 

Po e fillojmë këtë hyrje të intervistës sonë me disa fjalë të ish Presidentes zvicrane Micheline Calmy Rey, të Ministrit të Jashtëm të Republikës së Kosovës Enver Hoxhaj, që para disa muajve në mes të Bernit, përmendën edhe emrin e Admir Mehmedit, Xherdan Shaqirit, Granit Xhakës, etj, që po shkëlqejnë në kombëtaren e Zvicrës dhe janë shembujt më të mirë të integrimit. Janë këta futbollistë, ambasadorët më të mirë të mundshëm të kombit tonë, që po ngrisin lart emrin tonë me sukseset e tyre, duke shkëlqyer me lojën e tyre në fushën e gjelbër të futbollit. Me suksesin e tyre, natyrisht se është krenar çdo shqiptar, edhe ata që ndoshta nuk kanë përcjellur asnjë ndeshje futbolli, pra që nuk e parapëlqejnë këtë sport, por për hir të Admirit, Xherdanit, Granitit, Valonit, Blerimit, Talutantit, e përcjellin dhe bëjnë tifozllëk për ta. Para tri dekadave, po të pyesje ndonjë bashkatdhetar se a do të vijë dita që në kombëtaren e Zvicrës të luaj ndonjë shqiptar dhe aty të jenë më të mirët e Zvicrës, padyshim mundet të kishte qenë një ëndërr. Por, realisht, janë këta të rinj të atyre bashkatdhetarëve, që kanë ardhur në këtë shtet për të punuar dhe duke shpresuar se një ditë, sa më shpejt të kthehen në atdhe. Sot, fëmitë e tyre po shkëlqejnë dhe po krenohen, jo vetëm shqiptarët që janë në diasporë e atdhe, por edhe Zvicra dhe tash klubet më të njohura të Evropës. Është kënaqësi kur sheh sukseset e Admir Mehmedit, për të cilin po ju sjellim, lexues të nderuar, një intervistë ekskluzive me të, i cili i është bashkuar ekipit të njohur Dinamo e Kievit. Admiri, përveçse është futbollist i shkëlqyer, ai është edhe shumë i matur, lirisht mund të thuash se je duke bashkëbiseduar me një person të një moshe më të rritur, krejt kjo falë edukatës nga familja. Duke kuptuar kohën që e ka të kufizuar, ne i kërkuam që në pika të shkurtërta të na njoftojë se si është pritur në Dinamo dhe çka do të kemi në të ardhmen nga ky yll futbolli. Ta përcjellim këtë intervistë, që jemi munduar t`ia servojmë pak më ndryshe, se sa keni lexuar nga ky futbollist, qoftë nga mediumet zvicrane apo edhe tek ato shqiptare. 

 

Fillimisht, prano përshëndetjet e stafit tonë dhe të të gjithë lexueve tanë, i nderuar Admir!

Admir Mehmedi: Përshëndetje! Kam kënaqësinë që po bashkëbisedoj me ju. Me zemër përshëndes stafin tuaj.

Si është Admiri në mesin e një klubi të madh?

Admir Mehmedi: Jam shumë mirë. I gjithë ekipi më ka pritur mirë. E kam gjetur veten menjëherë në mesin e gjithë stafit të klubit. 

 

E ke pritur se do të mirëprisnin kështu?

Admir Mehmedi: Padyshim se e kam pritur, duke dnjohur sukseset e këtij klubi, që të gjithë e dimë se sa i madh është dhe sa lojtarë të njohur ka pasur dhe ka. Kishin ardhur mbi 80 gazetarë dhe më kanë bërë pyetje, kështu që menjëherë e pashë veten në mediumet e atjeshme. Ata presin nga unë shumë dhe unë do të mundohem që të jem i suksesshëm.

 

Je caktuar sulmues i parë në Dinamo?

Admir Mehmedi: Po, i kam thënë edhe babait tim. Duke njohur veten dhe me ushtrimet që po bëhen, unë do të jem në formacion të parë të ekipit tim. Dihet se Dinamo ka sulmues shumë, jo më pak se shtatë, por unë kisha parandjenja se do të isha ndër të parët, falë punës që kam bërë në stërvitje dhe që jam duke bërë vazhdimisht. 

 

Cili numër i fanellës është më i miri për Admirin?

Admir Mehmedi: Në skuadrën e Dinamos e kam numrin 13. Por, numri nuk ka edhe aq rëndësi, sepse në lojë nuk shikohet numri. Ai numër i fanellës është më shumë për komentatorin e ndeshjes dhe shikuesve që nuk ia dinë emrin lojtarit dhe identifikohen me numër të fanellës. Gjithmonë e kam dashur 10 dhe 11.

 

Besoj se dallimet janë të mëdha në mes të Dinamos dhe Cyrihut, ku keni luajtur më parë?

Admir Memedi: Ka dallim, normalisht. Në çdo shtet ka rregulla tjera, por futbolli është futboll. Unë kam shkuar, siç dihet, nga Cyrihu në Dinamo, kjo tregon se klubi ku kam qenë është shumë i madh, por Dinamo, vërtetë është shembullore. 

 

E ke pasur të vështirë komunikimin në ditët e para me lojtarët e ekipit?

Admir Mehmedi: Jo, nuk e kam pasur sepse edhe unë u pata interesuar se kush janë ata, njëkohësisht edhe ata për mua. Gjithmonë në ekip është gjuha e futbollit. Vërtetë më kanë pritur shumë mirë. I falenderoj të gjithë si staf.

 

Me cilin lojtar fillove të shoqërohesh më shumë?

Admir Mehmedi: Unë i zotëroj katër gjuhë dhe nuk e kam problem. Por, lojtari nga Maqedonia, Goran Popov, më ka ofruar shoqëri, që ta njoh më mirë qytetin dhe disa nga rregullat atje. Meqë ky lojtar e ka parë se jam shqiptar dhe vij nga Maqedonia, ka dashur që të jemi më të afërt, sepse e njeh mentalitetin tonë dhe e pranoi shoqërinë time.

 

Admir po e vazhdojmë bisedën me disa pyetje tjera, por do të kthehemi përsëri sigurisht te Dinamo. Ke luajtur për kombëtaren e Zvicrës dhe luan ende, pra ke edhe pasaportën zvicrane. E ke menduar se një ditë do të luash për shtetin e Zvicrës?

Admir Mehmedi: Kur kam filluar si fëmi, nuk e kam menduar, por më vonë kam luftuar që të jem në këtë kombëtare dhe ja që fati e deshi dhe jam pjesë e saj. Luaj dhe do të luaj për kombëtaren e Zvicrës, kam pasaportë zvicrane, por me gjak jam shqiptar.

 

Sa vjeç ke qenë kur ke ardhur në Zvicër?

Admir Mehmedi: Babai im e ka të kryer fakultetin ekonomik dhe ka punuar tetë vjet në Gostivar. Por, kur ka parë se situata atje nuk po shkon si duhet, babai im është detyruar të vijë në Zvicër. Xhaxhai im ia ka dërguar një garancion dhe ka ardhur në Belinzona të Tiçinos, pra në pjesën italiane. Babai im ka punuar 12 vjetë me një piceri, duke na mbajtur neve si familje. Kur babai im e ka fituar vizën B na ka marrë neve, pra unë kam qenë katër vjeç.

 

Si fillove të luash futboll?

Admir Mehmedi: Më kujtohet një ditë që i pata kërkuar babait tim t`mi jepte 50 franka që të regjistrohesha në klub të futbollit, në atë të Bellizonas. Babai im ishte shumë i ngarkuar për të mbajtur familjen dhe mua mu duk sikurse ai nuk më dëgjoi për këtë dhe unë iu drejova vëllait tim dhe nënës. Nëna ime mi dha të hollat. Ka qenë viti 1994. Për këtë pyetje më kujtohet babai im se shpesh më ka treguar, po ua rrëfej ashtu si më ka treguar babai im: "Një ditë më erdhi një kliente në orar të punës, ishte një grua zvicrane e pjesës italiane, Ajo më tha: " Mirëdita! Ju jeni babai i Admirit. E keni parë djalin tuaj në gazetë? Dhe ma tregoi një gazetë ku shkruante se Admiri është më i miri. Aty e kam kuptuar se ka talent dhe e ka shumë seriozisht këtë punë. Pastaj, pas një jave, po ata persona erdhën në shtëpinë time. Më thanë nëse kisha mundësi të bisedonim dhe nëse djali im mund ta shoqëronte djalin e tyre. Kjo familje zvicrane është shumë e pasur dhe unë u habita, dhe njëkohësisht më erdhi shumë mirë. E pashë se kjo familje ishte e ngritur". Pra, ky rast mi ka hapur dyert e suksesit.

 

Në familjen tuaj, ka luajtur dikush me futboll?

Admir Mehmedi: Babai më ka treguar se xhaxhai im ka luajtur, por jo në ndonjë ligë profesionale, por ka pasur dhe ka talent.

 

Si u bë që nga Bellizona të vinit në Cyrih?

Admir Mehmedi: Prindërit tregojnë se si fëmi kam qenë ambicioz dhe nuk kam munguar kurrë në stërvitje. Kur kam pasur të luaj futboll, edhe nëse kam pasur ndonjë grip, jam zgjuar dhe kam thënë, ’jam shumë mirë dhe po shkoj me kënaqësi’. Në vitin 2000, babait tim iu desh që të largohej nga ky qytet për në Cyrih, sepse xhaxhai jonë pati hapur një restoran dhe i duhej ndihma e tim eti. Në ate kohë, e kujtoj, babai im u pat mërzitur shumë, duke menduar se do ta  humbisja karrierën, sepse po largohesha nga klubi. Por, me të ardhur në Cyrih, babai im kishte shkuar në Winterthur dhe kishte biseduar me drejtues të klubit. Sapo bëra një stërvitje, më pranuan dhe kështu filloi puna përsëri drejt sukseseve. Kam luajtur nëpër turne të ndryshme në Cyrih dhe Bazel. Duke luajtur nëpër këto turne, i kam rënë në sy ekipit të Cyrihut dhe Bazelit dhe e zgjodha Cyrihun, sepse isha më afër familjes dhe babai thoshte deri në moshën 17 vjeç është mirë të jesh këndej, e pastaj vendosim ndryshe. Ende pa i mbushur 17 vjet, mora statusin e futbollistit profesionist. Menjëherë me klubin e Cyrihut bëra kontratë deri në vitin 2013.

 

Më mirë ndjehesh si sulmues në ndeshje?

Admir Mehmedi: Jo si sulmues tipik, por si ndërlidhës i lojës, e herë herë edhe sulmues, varësisht situatës.

Ke shoqëri me futbollistë tjerë shqiptarë që janë në Zvicër?

Admir Mehmedi: Po, natyrisht edhe atë shumë të mirë, si me Xherdan Shaqirin, Amir Abrashin, Ardian Nikçin, etj, etj. 

 

Admir, ishte pagesa më e mirë kriter i përcaktimit tënd për Dinamon?

Admir Mehmedi: Natyrisht se çdo njeri ka dëshirë që të ketë të mira materiale, por tek unë nuk ka qenë kjo, por duke ditur se kjo skuadër është shumë e njohur dhe përmes kësaj mund të jem edhe më i suksesshëm në të ardhmen,e kam zgjedhur pikërisht këtë. 

 

E viziton vendlindjen?

Admir Mehmedi: Po, shumë shpesh. Kur isha më i vogël kam shkuar dhe jam i lidhur me atje shumë, sepse nga ai vend jam dhe jam shqiptar. 

 

Kë e takon së pari kur shkon në Gostivar?

Admir Mehmedi: Familjen time të ngushtë, gjyshen time që e dua shumë, por asnjëherë nuk kthehem këndej pa i vizituar edhe varret, që lutem për më të dashurit e mi dhe për të gjithë të vdekurit. Para se të shkoja në Dinamo, kam shkuar në Gostivar dhe e kam takuar gjyshen time dhe të afërmit atje që i kam. 

 

Ke luajtur futboll edhe në Maqedoni sa ke qenë i vogël?

Admir Mehmedi: Po, kam luajtur. Gjithmonë gjatë pushimeve që i kemi pasur, një javë e kam lënë të lirë dhe pastaj babi im është përkujdesur të më gjejë profesorë të edukatës fizike që të ushtroj, pra të mos ndahesha nga ushtrimet.

 

Cili është kujtimi më i mirë gjatë tërë ndeshjeve që i ke pasur në Cyrih?

Admir Mehmedi:  Të gjitha ndeshjet e kanë nga një histori në vete. Një ndeshje me Young Boys, kur dhashë golin fitues, ishte ndeshja në Cyrih, pra në vitin 2010. Në këtë ndeshje, u definova si lojtar i kombëtares zvicrane dhe ishte trajneri Hitzfeld aty dhe e pa se e meritoj të jem pjesë e kombëtares zvicrane. 

 

Ke pasur takime të shumta me futbollistë të ndryshëm botërorë. Me cilin e ke ndërruar fanellën më me dëshirë?

Admir Mehmedi: Ka qenë interesant ndeshja me Milanin dhe e kam ndërruar dresin me Pato. Dhe ate dres e ruaj edhe sot. E kam pasur të preferuar.

 

Gjatë ndeshjeve shpesh të kemi parë se me duar jep një mesazh. Na trego se cili është ai mesazh?

Admir Mehmedi: Po, i bashkoj duart dhe e bëjë një zemër, që ia dhuroj familjes sime dhe gjithë atyre që më duan.

 

Pse e zgjodhe Dinamon?

Admir Mehmedi: E zgjodha, se është klub i madh dhe me perspektivë. Disa herë më i madh se aty ku kam qenë dhe e kisha kohën kur u desht të ndërrmarë një hap të tillë.

 

Cili gol ka qenë më i miri për ty?

Admir Mehmedi: Kurrë nuk e harroj golin në Danimarkë, në vitin 2010, përmes të cilit, Zvicra u kualifikua. 

Si ke qenë në shkollë?

Admir Mehmedi:  Gjimnazin e kam kryer me rezultat 5.5. 

 

Përcjell mediumet tona?

Admir Mehmedi: Përmes internetit i lexoj me kënaqësi, por më shumë rubrikat e sportit. 

 

Mendon që një ditë të kthehesh përsëri në Cyrih?

Admir Mehmedi: Gjithësesi, për të kontribuar në këtë klub edhepse më kanë thënë se pas dhjetë vjetëve do të jesh ai i merituari që do ta drejtosh klubin e Cyrihut. E kam lënë derën hapur edhe për gjeneratat tjera që do të vijnë. Më kanë përcjellur me përqafim.

 

Ke të dashur?

Admir Mehmedi: Jo.

 

Do të martohesh me shqiptare?

Admir Mehmedi: E ka amanet prej babait dhe nënës që të martohem me shqiptare, pavarësisht se nga cila trevë e atdheut të jetë. Jo pse jemi kundër ndonjë kombi tjetër, por duan që nipi apo mbesa e tyre të flasë gjuhën e mëmëdheut. Ua kam premtuar këtë, por njëherë nuk është koha, megjithëse nuk i dihet fatit. Do ta përmend këtë fjalë që më ka thënë babai im: " Nëse nuk martohesh me shqiptare, sytë do të më mbesin hapur kur do të ndahem nga kjo jetë". Nuk ma imponojnë, por normalisht, duhet dashur traditën tonë, pastaj i duam tjerët, sepse pa e njohur tonën, nuk mund ta nderojmë të huajën.

 

Ku do ta bëje ceremoninë e martesës, në Maqedoni apo Zvicër?

Admir Mehmedi: Dasmën do ta bëj në vendlindje, por për shoqërinë time edhe në Zvicër. Do të kisha dashur shumë të bëja një aheng edhe në mes të kryeqytetit shqiptar, në Tiranë.

 

Ku je duke banuar në Kiew?

Admir Mehmedi: Jo, jam në një banesë në katin e 21-të.

 

E shtrenjtë kostoja e banesës?

Admir Mehmedi: Klubi e paguan, jo më pak se 3.000 dollarë dhe kam veturë dhe truprojë. 

 

Çfarë veture ke?

Admir Mehmedi: E kam ditur se do më pyesësh. Një veturë të mesme, as të madhe e as të vogël, kam një Mercedes xhip normal.

 

Ke pasur oferta për kombëtaren e Maqedonisë?

Admir Mehmedi: Po.

 

Kontakton shpesh me familjen?

Admir Mehmedi: Shumë shpesh, ndoshta edhe çdo natë.

 

Me kë je më i lidhur në familje? 

Admir Mehmedi: Mundohem të jem burrë. Nëse nëna gabon për diçka, i them, se këtu kemi babën dhe ai vendos.

 

Çka u preferon bashkëmoshatarëve tu?

Admir Mehmedi: Të rinjtë, mendoj ata që janë të moshës mes 15 dhe 20 vjeç, duhet të angazhohen shumë, nëse dëshirojnë një ditë të jenë të suksesshëm. Është një moshë në të cilën ia vlenë të investohet shumë. Kur je i ri, munde të ndërtosh një bazë solide për të ardhmen tënde jetësore. Po kaloi kjo moshë, atëherë është vonë, iku treni.

Admir sigurisht se kemi edhe shumë çka të flasim, por shpresojmë se do të kemi mundësi të bashkëbisedojmë edhe herave tjera. Faleminderit dhe gjitha të mirat.

Admir Mehmedi: Ishte kënaqësi! E përshëndes edhe njëherë familjen time, tifozët e mi që i kam shumë në tërë Zvicrën dhe padyshim vëllezërit e një gjaku dhe gjuhe. Intervistoi: Dashnim Hebibi /Plisi/presheva.com

Kthehu mbrapa

Shto koment