Admir Lloqani rrëfehet sesi u therë të shtunën në kryeqytet

24.09.2014 (komentet: 0)

Nuk është pjesë e ‘Kuqezinjve të Jakovës’. Madje, asnjëherë nuk e kishte përcjellë Vëllaznimin jashtë Gjakovës. Mirëpo, në daljen e parë të tij jashtë qytetit të lindjes, u therë keq. Fjala është për tifozin gjakovar, Admir Lloqanin, i therur jashtë stadiumit të Prishtinës pas pjesës së parë të duelit të së shtunës. Admiri thotë se është therur edhe një shok i tij. Ja rrëfimi i 25-vjeçarit.

 

Si ndodhi therja?

Gjithsesi, Lloqani nuk ka hezituar të tregojë sesi ndodhi therja e tij jashtë stadiumit. Fillimisht, ai pohon se nuk është pjesë e ‘Kuqezinjve të Jakovës’ dhe Vëllaznimin kishte ardhur ta përcjellë si një tifoz i thjeshtë. “Ishte hera e parë që erdha ta shoh Vëllaznimin në Prishtinë dhe rashë viktimë. Si ndodhi therja? Pjesën e parë e pamë bashkërisht. Pas pjesës së parë, duke biseduar me dy shokë, Vatan Kadria dhe Filolit Byci, vendosëm të dalim jashtë stadiumit për të ngrënë bukë, pasi ishim të uritur. Kur dolëm jashtë, i pamë rreth 20 persona, prej të cilëve kishte edhe të maskuar. Ata na pyetën se prej nga jemi dhe ne iu treguam. Nuk kishim veshur asgjë që na identifikonte si tifozë të Vëllaznimit, pasi ne kishim ardhur për qejf. Ata filluan të vijnë në drejtim tonë dhe ne vrapuam. Mirëpo, gjatë rrugës u thera unë dhe Vatani, kurse Filoliti u godit me shufër në kokë”, rrëfen Lloqani për ‘Sport Plus’.

Pos kësaj, 25-vjeçari tregon edhe si u rrahën. “Pos therjes në shpinë, ne u rrahëm shumë. Ata 20 persona ndërkohë u ndihmuan edhe nga pesë tjerë. Ishte tmerr”, tregon Lloqani.

U injoruan nga polica

Pak minuta pas rastit, në vendin e ngjarjes ka ardhur edhe Policia e Kosovës. “U deshtë të qëndrojmë të plagosur e me gjakderdhje për 20 minuta para stadiumit. Pavarësisht kërkesës tonë për të shkuar në spital, ata na lanë të presim. Më pas shkuam në spital. Fillimisht bëmë fotografimet dhe më vonë shkuam në sallë. Pas gjithë kësaj, koha ishte për intervistimin në polici”, theksoi Lloqani.

Pikërisht këtu ai ndjeu një tjetër dhembje. “Aty ishim të injoruar totalisht. Kemi pritur tri orë e gjysmë për një intervistë. Madje, policët shpesh bënin shaka me neve. Vërtetë ishte e pakuptimtë”. Krejt në fund, Lloqani ka kërkuar nga organet kompetente që të marrin masa ndaj atyre që e shkaktuan këtë incident, pasi sipas tij, edhe të tjerë të pafajshëm si ai mund të pësojnë herëve tjera.

Nuk ishin ‘Plisa’

Grupi i tifozëve të Prishtinës, ‘Plisat’, nuk kanë gisht në incidentin që ka ndodhur mes pjesëve të ndeshjes Prishtina - Vëllaznimi. Një gjë të tillë e ka thënë për gazetën të dielën, kryetari i tifozëve prishtinas, Albert Kastrati. “Ne nuk jemi në dijeni që ka pasur persona të therur me thikë. Ne kemi qëndruar në stadium edhe 20 minuta pasi ka përfunduar ndeshja, pasi Policia nuk na ka lejuar të dalim jashtë. Ato që kanë ndodhur jashtë stadiumit, nuk i përkasin tifozëve ‘Plisat’, sepse ne nuk kemi bërë gjëra të tilla”, ishte shprehur Kastrati. Ndeshja Prishtina – Vëllaznimi përfundoi 1:1. /Telegrafi/ 

 

Kthehu mbrapa

Shto koment