A është plakur Barcelona?

27.10.2014 (komentet: 0)

Humbja nga rivali i përhershëm Real Madridi në ‘el Clasico’, ka zbuluar shumë probleme te Barcelona që deri para këtij dueli dukej si një skuadër perfekte në ligë.

Problemet në mbrojtje kanë dalë sërish në pah te Blaugranët që pavarësisht ndryshimeve gjatë verës, nuk duket se kanë dhënë fryt.

Mediat katalunase e kanë kapërdirë shumë vështirë këtë disfatë dhe po kërkojnë të gjejnë arsyet e kësaj humbjeje.

Nga të gjitha analizat e bëra, gazeta Sport, del me një konstatim interesant, që ka të bëjë me moshën e lojtarëve te Barca, transmeton Koha.net.

Ekipi që nxirrte talentë dhe përbëhej gjithnjë nga lojtarët e ri, në përballje me Los Blancos, u paraqit në fushë me njëmbëdhjetëshin që arrinte moshën mesatare prej 28.7 vjet, për dy vjet më e moshuar se ajo e Realit, 26.7.

Të dhënat e gazetës tregojnë se gjashtë nga 11 lojtarët titullar te Barca, kanë kaluar moshën 30 vjeçare. Portieri Bravo, mbrojtësit Alves, Mathieu e Mascherano, si dhe mesfushorët Xavi e Iniesta, ndërsa shqetësuese është fakti që e tërë mbrojtja është e plakur.

Vetëm dy lojtarë te Reali kanë kaluar të tridhjetat, portieri Casillas dhe Pepe, ndërsa katër lojtarë madje janë nën 25-vjeç, Carvajal, Isco, James e Kroos, ndërsa te Barca ishte vetëm Neymari.

 

Gazeta pohon se Luis Enrique ka lënë në bankë emra të rinj si Ter Stegen, Bartra, Alba, Munir e Sandro, por të cilët mbase nuk do të mund të shmangnin disfatën, pasi trajneri nuk kishte bërë shumë ndryshime taktikë dhe në përbërje për dallim nga përballja e fundit kur në krye të Barcës ishte Tata Martino. /Telegrafi/

Kthehu mbrapa

Shto koment