Shqiptari që po “e trondit” botën

31.01.2012 (komentet: 0)

Quhet Claydee Lupa, artisti 26-vjeçar i renditur në dhjetë më të mirët e hitparadeve greke, dhe atyre evropiane. Producenti më i njohur shqiptar tashmë në gjithë vendet e Evropës, pas suksesit të këngës së tij “Call Me”, rikthehet me këngën e tij të re jo vetëm si producent, por edhe si këngëtar.

Është i vetmi artist i konfirmuar në Greqi, që nuk ka mohuar prejardhjen e tij shqiptare, dhe mbase kjo i ka dhënë mbështetje të madhe nga të rinjtë shqiptarë të kudondodhur, kanë komentuar mediet greke. Në Shqipëri njihet me dy këngë, më të preferuarat e verës 2011, pikërisht “Last summer” nga Nicko Gano, dhe “The End” nga Reckless.

Kompozitor dhe producent i njohur

Po kush është Claydee Lupa në tregun e huaj dhe cilët janë këngëtarët me të cilët bashkëpunon? Ai aktualisht është duke punuar me artistë të njohur, si: Recless, Taki Tsan, Tamta, Sakis Ruvas, Kostas Martakis, Playman, etj. Edhe pse është një nga emrat më të dëgjuar në Evropë, në Shqipëri ende nuk e dinë se pas këtyre hiteve që kanë kërcyer gjithë vitin, është një shqiptar.

“Me këngën time të re jo vetëm si producent, por edhe si këngëtar, rikthehem për t’ju treguar se muzika që unë bëj po pëlqehet vërtet, dhe unë ndihem i lumtur për këtë si një shqiptar që e kërkoj suksesin jashtë vendit tim”, tha Claydee për “PanoramaPlus”.

Aktualisht luan Dj në një nga klub më të mira të Greqisë përkrah këngëtarit me famë, Saki Ruvas, Elena Paparisu. Edhe pse Greqia kalon një krizë, është i vetmi klub, ku nuk gjen vend të ulesh, shkruajnë gazetat greke. Claydee Lupa është një kompozitor dhe producent i ri, por që jeton në Athinë (Greqi), që prej moshës katër vjeç. Ai është i specializuar në gjinitë e muzikës Hip Hop dhe Pop/R & B.

Muzika më tërheq shumë

Talenti i tij është i dukshëm duke qenë se ka prodhime të panumërta për artistë të mëdhenj, që kanë arritur me këngët e tyre të jenë në majat e klasifikimeve në të gjithë Evropën, duke përfshirë suksese të mëdha të kohëve të fundit në Greqi dhe në Shqipëri.

Jashtë kufijve ai është përmendur si krijuesi i disa prej hiteve më të njohura të muzikës “house” në botë, të cilat kanë pushtuar diskotekat që prej vitit 2010. ”The End”, “Reckless” dhe “Last Summer” nga Nickos ishin këngët e para që i sollën suksesin e paimagjinueshëm.

“Muzika është gjëja që më tërheq më shumë, por përpara se të merresha me të kam qenë kërcimtar”, tha ai.

Kthehu mbrapa

Shto koment