Rona në studiot ku incizuan “The Beatles” e Sinatra

01.02.2012 (komentet: 0)

Aty dikur kanë incizuar këngët e tyre “The Beatles”, Frank Sinatra, Ray Charles, e shumë të tjerë. Lady Gaga në ditët e sotme është njëra prej yjeve që regjistron po në atë vend. E prej të martës listës i është bashkuar edhe Rona Nishliu.

 

Fituesja e edicionit të 50-të, në Festivalin e Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, bashkë me kompozitorin Florent Boshnjaku kanë mbërritur në Los Angeles për të incizuar këngën “Suus”. “Capitol Records” dhe “Oceanway Recording” janë dy studiot që për dhjetë ditë do të jenë nikoqir të ekipit shqiptar shkruan Editorial.

“Parimisht besoj që asgjë në botë nuk është e përkryer, e që e mira nuk ka kufij”, ka thënë Rona në një bisedë telefonike. “Kënga është shumë specifike dhe ne po përpiqemi për një nivel sa më të mirë të incizimit të saj”. Ajo thotë se ekipi është shumë i përkushtuar dhe profesional.

Kompozitori Florent Boshnjaku, që ka thurur notat për këngën “Suus”, incizimin në dy studio me renome botërore e ka cilësuar si përparësi shumë të madhe. Sivjet “Eurovisioni” do të mbahet në Baku, kryeqytet i Azerbajxhanit.
“Për dhjetë ditë duhet të përfundojë incizimi i këngës, ndërsa kemi marrë orkestrën dhe gjithçka do të incizohet live”, ka thënë Boshnjaku.

Udhëtimin për në Los Angelos e ka mundësuar Radiotelevizioni Shqiptar, ndërsa kontaktet me studio i ka bërë të mundshme kompozitori Aldo Shllaku, që njëherësh ka qenë edhe anëtar i jurisë kur Rona ka fituar.

Kthehu mbrapa

Shto koment