E nisi Bregovici, e vazhdoi Colici: Tirana prapë në këmbë!

13.04.2014 (komentet: 0)

Në vitin 2006, Goran Bregovici i ekzaltoi shqiptarët midis Tirane. Sot të njëjtën e bëri Zdravko Colici, në festivalin “Kënga ime”, në TV Klan.

E nisi Bregovoci, e vazhdoi Colici: Tirana prapë në këmbë!

Ai këndoi dy këngë i shoqëruar nën brohoritje, duartrokitje frenetike të publikut “korrekt” shqiptar. Të gjithë ata qëndronin në këmbë. Pamje “madhështore”!

Për të qarë.

Aty madje u dëgjua një rrëfim “prekës”: “Një këngëtar nga Korça, donte dikur, në kohën e komunizmit, të ikte në Jugosllavi për ta ndjekur një koncert të Zdravko Colicit”.

Teksa Colici e përfundoi performancën e tij, publiku u ngrit e kërkonte “repete”. Ndërsa, moderatorja që për pak nuk i ngjit për të, pëshpëriste ritmin e këngës “Pjevam danju, pjevam nocu”, me tekst të Branko Radicevicit, shokut të Vuk Stefanovic Karadzicit, poetëve kryesorë të romantizmit serb.

Të kthehemi te Bregovici. Derisa ky më 2006 nuk guxonte të kthehej në vendlindjen e tij në Sarajevë, kryeministri i tanishëm i Shqipërisë, atëherë kryetar i kryeqytetit, Edi Rama, ia jep Çelësin e Tiranës. Bregovici ishte shok i Radovan Karadzicit dhe Rajko Petrov Nogos. Ishte po ashtu dhe është mik i regjisorit antishqiptar Emir Kusturica, me të cilin punonin filma që planifikoheshin nga shefi i propagandës së Slobodan Milosevicit.

Në Tiranë ai i “çmend” shqiptarët me këngën “Kallashnikov”. Këtë këngë e ka kënduar ai edhe gjatë ardhjes në pushtet në Serbi të antishqiptarit tjetër, Vojislav Kostunica.

 

Ndërsa, pas tij, Tirana me dashurinë më të madhe, më 2007, e ftoi Momcilo Bajagic Bajagën.

Derisa më 28 mars të vitit 1999, kolonat kilometrike të shqiptarëve të deportuar të Kosovës, presin ditë të tëra në kufi me Maqedoninë dhe Shqipërinë, pa ditur nëse do të shpëtojnë dhe nëse do t’i shohin ndonjëherë anëtarët tjerë të familjes; përderisa të tjerët përjetonin tmerrin, të njëjtën ditë ky Bajaga me “yjet” tjera të muzikës serbe mbajnë koncert në sheshin kryesor të Beogradit ku këndojnë këngën: “Samo Sloga Srbina Spasava” (Vetëm uniteti e shpëton serbin). Ky titull - që është slogani nacional serb, i pranishëm në formën e 4 S-ve në simbolet e tyre kombëtare - është himni i cili i bashkonte serbët në luftërat që një shekull të tërë terrorizonin popujt e Ballkanit.

“Festim i frikshëm”. Kështu e cilësoi këtë koncert gazeta prestigjioze amerikane, “New York Times”.

Colici ka bashkëpunuar shumë herë me Bregovicin. Kurrë Colici nuk e ka thënë një fjalë dhembje për vuajtjet e shqiptarëve në Kosovë. Ai, kur Jugosllavia ishte në flakë, dhe i njëjti fat e priste Kosovën, karrierën e vazhdonte në Beograd.

Frustrimet e shqiptarëve të Kosovës me Bregovica, Bajaga e Colica në Shqipëri me siguri perceptohen në suazat e stereotipeve të gjoja një xhelozie ndaj Shqipërisë dhe kosmopolitanizmit të saj. Por, nuk ka këtu kurrfarë xhelozie. Në Kosovë, rock-bendet formohen që nga viti 1967. Kosova i kishte instrumentistët më të mirë, e edhe disa nga bendet dhe krijuesit më avangardë; kishte rock-skenën e saj, origjinale dhe të barabartë me të tjerat në ish-Jugosllavi, të cilën fatkeqësisht Shqipëria sot nuk është e interesuar ta njohë.

Madje, kujtojmë që në Pejë në kulmin e karrierës së tij e kanë larguar nga koncerti.

Pastaj, edhe Bregovici e edhe Colici ishin plagjiatorë. Mos të harrojmë që një ndër hitet e para të Coliciti, “Oktobar je, pocinje sezona kisa”, ishte ashiqare e vjedhur nga kënga “Hold the Line” e grupit Toto.

Sidoqoftë, dikush do të thoshte se nuk bën të ngatërrohet politika me artin. Por shumë do të dëshironim të shihnim se si do të “mirëpritej” një shqiptar duke kënduar shqip në Beograd. /Telegrafi/

video Bregovic

Kthehu mbrapa

Shto koment