Tregtia me pacientë

12.10.2014 (komentet: 0)

Tregtia me pacientë

Dyqind e njëzet e një kosovarë kanë vdekur në dy spitale private të zemrës me të cilat Ministria e Shëndetësisë kishte marrëveshje për dërgimin e pacientëve.

 

Vdekjet kanë ndodhur gjatë një periudhe dyvjeçare, shkruan sot Koha Ditore.

Marrëveshjet ishin të paligjshme. Megjithatë, Ministria ka derdhur në arkat e spitaleve IMH dhe EDA mbi dy milionë e 100 mijë euro. Një pjesë e madhe e këtyre parave kanë shkuar në xhepat e një grupi mjekësh. Nga 500 euro ryshfet besohet se kanë marrë ata për dërgimin e një pacienti.

Njërit prej tyre i ka rënë që 13 sish t’i dërgojë për një natë. Ryshfeti i natës së 15 prillit 2013 peshon 6 mijë e 500 euro.

Në kohën kur Ministria kishte lidhur marrëveshje për dërgimin e pacientëve me spitalin EDA, Inspektorati Shëndetësor kishte urdhëruar mbylljen e tij për shkak të mungesës së kushteve. Spitali nuk kishte licencë. Pos kësaj, asnjë mjek nuk kishte licencë për zemër. Por, pacientët dërgoheshin në mënyrë të organizuar.

Mënyra e rekrutimit dhe e përfitimeve të tilla nga një grup mjekësh është zbuluar nga përgjimi që u ka bërë Policia e Kosovës atyre. Aty zbulohet trajtimi i keq i pacientëve, fyerja e tyre dhe vënia e epiteteve. Ka raste kur me të moshuarit me infarkt nuk dinin çfarë të bënin. I quanin të varfër e fakirë. Pacientët madje i krahasonin me jashtëqitjen e njeriut.

Në gjithë këto parregullsi, me një dozë të madhe përgjegjësie penale ngarkohet ministri Ferid Agani. Ai kishte kontakte të shpeshta me drejtorët e spitaleve, Ali Hocaoglun dhe Borçe Petrovskin.

Mesazhet telefonike zbulojnë se Agani kishte ushtruar presion në Ministri që Petrovskit t’i paguheshin qindra e mijëra euro, ndërsa nga Ali Hocaoglu kërkonte lidhje për ta dërguar djalin për studime në Turqi. Mesazhet dëshmojnë se ata kishin udhëtuar bashkë atje. /Koha Ditore/

Kthehu mbrapa

Shto koment